E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca kerkon sanksione ndaj Iranit

Franca është shprehur e bindur se Irani po zhvillon armë bërthamore dhe për këtë arsye duhet të përballet me sanksione.Një deklaratë e tillë u bë nga Ministri i Jashtëm, Alain Juppe. Ai u ka bërë thirrje vendeve të BE-së që të ndjekin shembullin e SHBA-së që ngrinë asetet iraniane në Bankën Qendrore dhe vendosën embargo ndaj eksportit të naftës.
Irani ka deklaruar se nuk i trembet kërcënimit të sanksioneve dhe ka mohuar gjithashtu akuzat e perëndimit se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore, duke thënë se programi i tij është paqësor dhe se teknologjia bërthamore i duhet për të gjeneruar energji elektrike.
Në nëntor, SHBA, Kanadaja dhe Britania njoftuan sanksione të reja ndaj Iranit, menjëherë pas raportit të ANEB-së që thoshte se Irani kishte kryer teste të lidhura me zhvillimin e një aparati atomik.
“Irani po vazhdon me zhvillimin e armëve të tij bërthamore, për këtë s’kam asnjë dyshim”, deklaroi zoti Juppe për televizionin francez I-Tele. “Raporti i fundit i ANEB-së është mëse i qartë”, shtoi shefi i diplomacisë franceze, duke theksuar se sanksionet ndaj Iranit duhen përforcuar më tej.
Më herët, Irani kreu me sukses testin për lëshimin e një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi gjatë stërvitjeve detare që po kryen në Gjirin Persik. Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, duke komentuar ngjarjen tha se “testimi i raketave të Iranit dëshmon se sanksionet ndërkombëtare po funksionojnë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›