Franca, mbështetje për statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave Shqipëri-BE
Ministri i Jashtëm Bernard Kushner vlerëson reformat e qeverisë shqiptare
TIRANE - Franca premton mbështetje të plotë, për kandidimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në çdo datë që kjo kërkesë të bëhet. Këtë konfirmim ka dhënë ministri i Jashtëm francez Berndard Kushner gjatë takimit të zhvilluar dje me kryeministrin Sali Berisha në vizitën që ky i fundit dhe ministri i Jashtëm Basha zhvilluan dje në Francë me ftesë të Presidentit Nikola Sarkozi. Sipas Kushner kandidimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk do të ketë pengesa as nga Franca as nga vendet e tjera të BE-së.
Kushner ka theksuar se Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij po veprojnë mjaft mirë duke quajtur integrimin në Bashkimin Evropian një proces të pandalshëm, madje Kushner ka deklaruar se Shqipëria ka bërë arritje shumë të mëdha këto të prekshme dhe në sy të botës. Ministri i Jashtëm francez ka shprehur dhe të gjithë mbështetjen e vendit të tij për sa i përket liberalizimit të vizave.
Duke u ndalur në investimet në Shqipëri, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, do të vazhdojnë të mbështesin me të gjitha mënyrat investitorët e huaj, në mënyrë që investimet e tyre në vendin tonë të jenë një histori suksesi.
Nga ana e tij, Kushner tha se ai vet do të organizonte shumë shpejt një delegacion me përfaqësues më të lartë të biznesit francez, të cilët do të vizitojnë Shqipërinë. Ata do të njihen nga afër me potencialet e mëdha të vendit, duke paraqitur edhe projekte të qarta dhe të sakta bashkëpunimi, në fushën e energjetikës, në shfrytëzimin e pasurive minerale, në fushën e turizmit, duke qenë se Franca ka si traditë ndërtimin e resorseve turistike në botë, si dhe në fusha të tjera.
Kryeministri Berisha e falënderoi Kushner për angazhimin e tij personal për të udhëhequr delegacionin e biznesit francez në këtë vizitë shumë të rëndësishme.
Duke u ndalur në ecurinë e suksesshme të reformave ekonomike në Shqipëri, ministri i Jashtëm Kushner tha se ato janë arritur falë punës së qeverisë në fushën ekonomike, në legjislacionin fiskal, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin, krijimin e një imazhi të ri për vendin, falë luftës me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.
Të dy personalitetet u ndalën edhe në diskutimin e projekteve të përbashkëta në fushën kulturore, të arsimit, etj.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe në Kosovë, ku të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se autoritetet e Kosovës po veprojnë me maturi dhe me durim, duke e orientuar vendin në rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe reformave në vend, si dhe drejt një politike për paqe e harmoni me fqinjët dhe bashkëjetese ndër etnike.
Gjithashtu, bisedimet mes dy personaliteteve kanë vijuar edhe në një takim tet a tet dhe në drekën zyrtare të shtruar për nder të Kryeministrit Berisha. Pas bisedimeve, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm i Francës Kushner dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në hapje të vizitës në Francë, kryeministri Sali Berisha, mori pjesë në Konferencën e organizuar për nder të tij në Paris, nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit dhe posaçërisht nga Presidenti i Këshillit të Drejtuesve të Kompanive Franceze, zoti Charles Paradis.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësuesit më të rëndësishëm të biznesit francez, të korporatave të mëdha, të grupeve bankare, grupeve të menaxhimit etj, të cilët me pjesëmarrjen e tyre të gjerë kishin treguar një interes shumë të madh për vizitën e kryeministrit Berisha në Paris.
Gjatë vizititës së tij në Francë, kryeministri Sali Berisha ripërsërit garancinë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kreu i ekzekutivit Berisha, tha se qeveria shqiptare do të ndërmarrë të gjitha hapat për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria po mundëson dhe nxit pajisjen e qytetarëve me Kartat e Identitetit dhe me pasaportat biometrike të standardeve më të larta. Këtë deklaratë kryeministri shqiptar e bëri gjatë punimeve të konferencës së organizuar për nder të tij në Paris, nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit dhe posaçërisht nga Presidenti i Këshillit të Drejtuesve të Kompanive Franceze, Charles Paradis.