E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituohet Komisioni Hetimor, brenda tri javësh hidhet dritë mbi lejet e ndërtimit

Objekti i hetimit, praktikat dhe procedurat e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës nga 1 janari vitit 2007 e në vazhdim

TIRANE - Pas tre javëve komisioni hetimor parlamentar “Rama 2” përfundon hetimet për lejet e ndërtimit të kryebashkiakut të Tiranës dhe do të çojë në prokurori dosjen voluminoze te kryebashkiakut të Tiranës.
Pas miratimit që Parlamenti i bëri nismës për ngritjen e një komisioni hetimor për lejet e ndërtimit të dhënë nga bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Edi Rama, komisioni hetimor parlamentar i cili do të merret me këtë çështje, u konstitua dhe zhvilloi dje mbledhjen e parë të tij.
Nën drejtimin e Ferdinant Xhaferrit, komisioni zhvilloi mbledhjen e tij të parë për konstituimin e komisionit ku dhe u miratua rregullorja e brendshme e këtij komisioni, e cila përbëhet nga 20 nene.
Me propozim të deputetit Vuksani dhe me konsensusin e anëtarëve të tjerë, sekretare e këtij komisioni u zgjodh zonja Lajla Përnaska. Xhaferri bëri të ditur se “komisioni po vepron mbi bazë të Kushtetutës rregullores së Kuvendit dhe ligjit për komisionet hetimore, si dhe ka për objekt të tij, hetimin e praktikave dhe procedurave të lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës nga 1 janar viti 2007 e ne vazhdim”. 
Nga 9 anëtarë të cilët duhet të ishin në përbërje të këtij komisioni, gjatë mbledhjes së djeshme u vu re mungesa e 4 anëtarëve socialist. Referuar mungesës së anëtarëve socialist të komisionit, Xhaferri deklaroi se, “Të gjithë kolegët opozitarë  janë munduar të thonë një fjalë, apo shumë fjalë për komisionin hetimor, dhe rastet e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës, por asnjëri prej tyre nuk ka dalë të thotë se Edi Rama nuk ka abuzuar. Tani që hapen letrat për të parë se si Edi Rama ka abuzuar me lejet e ndërtimit ata nuk vinë se nuk kanë se çfarë të bëjnë”, tha Xhaferri.
Duke bërë të qartë procedurën e punës së komisionit, Xhaferri bëri të ditur se “do t`i kërkojmë zyrtarisht bashkisë së Tiranës që të na bjerë të gjithë dokumentacionin e mbledhjeve të KRT-së që nga 1 janari 2007 e në vazhdim”.
Duke vijuar më tej, Xhaferri tha se “komisioni do të kërkojë akses për të shkuar në bashki dhe për të hetuar raste konkrete, dhe më pas do të shikojmë se si qëndrojnë dy studiot kryesore, ajo e Alban Iftimit dhe studiot e Atrtan Shkreli në të gjitha procedurat e lejeve të ndërtimit, sa leje ndërtimi ka pasur, sa është shuma e lejeve të ndërtimit në raport me të tjerat, kush është koha e aprovimit e lejeve të ndërtimit të këtyre studiove klienteliste, dhe t’i bëjmë transparente”.
Xhaferri bëri të ditur më tej se komisioni do të hetojë “mekanizmin e pastër korruptiv, mekanizmin e pastër klientelist, monopolist se si dy studio të preferuara të kryetarit të bashkisë së Tiranës, qëndrojnë në raport me qindra studio që veprojnë në Tiranë”.

Prokuroria i ka shndërruar në monument kulture dosjet e kryebashkiakut Edi Rama

Deklaron Ferdinant Xhaferri, Kryetari i Komisionit Hetimor “Rama 2”

TIRANE - Kryetari i Komisionit “për hetimin e praktikave  dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës, e ka konsideruar daljen më të fundit të kryebashkiakut Rama lidhur me këtë çështje si të pavlerë.
Xhaferri deklaroi se “Edi Rama doli përpara shqiptarëve, por nuk tha asnjë fjalë se përse është ngritur komisioni Hetimor për hetimin e praktikave të dhënieve të lejeve të ndërtimit nga viti 2007 e në vazhdim”.
Duke vijuar më tej Xhaferri tha se “Rama bën mirë që t`i thotë shqiptarëve se sikur ta kishte pronë të tij private bashkinë, a do të bënte më shumë se sa t`i jepte 19 leje ndërtimi nga 28 klientit dhe vartësit të tij”, tha Xhaferri.
Në vazhdën e akuzave drejtuar kryebashkiakut të Tiranës, Xhaferri tha se “në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që kryetari i bashkisë, ndër qindra studio projektimi të vendosë t`i japë studios së tij 19 nga 28 projekte”.
Kryetari i komisionit hetimor, Ferdinant Xhaferi tha se me lejet korruptive kryetari i bashkisë së Tiranës dëmton imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve, ku me “mekanizmin e tij tërësisht korruptiv  dhe monopolist, masakron paratë për punë publike të qytetarëve të Tiranës”.
Xhaferri ka hedhur akuza edhe ndaj organit të akuzës, duke deklaruar se “Prokuroria jo vetëm që fle, por i ka shndërruar në monument kulture dosjet e Edi Ramës”.
Xhaferri tha më tej se “Edi Rama ka kaluar  çdo masë duke shndërruar rastin më skandaloz të korrupsionit në historinë 17 vjeçare të pluralizmit, duke shtuar më tej se ‘asnjë nga kolegët e tij nuk guxon të dalë dhe të thotë se Edi Rama nuk ka vjedhur”.
Në përfundim të deklaratës së tij përpara mediave, Xhaferri deklaroi se komisioni nuk do të ngurojë për ta thirrur kryebashkiakun Edi Rama, për të dhënë shpjegimet e nevojshme për akuzat që i drejtohen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›