E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian miraton një rezolutë për zgjerimin e BE-së me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Liberalizmi i vizave konsiderohet si proces i rëndësishëm për afrimin e popullit të rajonit me BE-në

STRASBURG - Parlamenti Evropian miraton një rezolutë për Ballkanin Perëndimor ku konfirmon se anëtarësimi i këtyre vendeve në Bashkimin Evropian do të stabilizojë këtë rajon. Në rezolutën e miratuar me 305 vota pro, 23 kundër dhe 12 abstenime, thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë kriteret e Kopenhagenit dhe anëtarësimi i secilit në BE do të varet nga shkalla e plotësimit të këtyre kritereve. Por PE-ja shpreh shqetësimin për pasojat e luftës në Ballkan që mbeten ende pengesë për sigurinë dhe stabilitetin politik të Rajonit. Gjithashtu parlamentarët evropiane shqetësohen edhe për ndërhyrjen poetike në mediat e Ballkanit Perëndimor si dhe në ndërthurjen e interesave të biznesit, politikës dhe medias në këto vende.
Parlamenti Evropian thekson 4 pika në këtë rezolutë: zgjidhja e çështjeve konfliktuale në Ballkan, plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave, bashkëpunimi me gjykatën e Hagës dhe bashkëpunimi ndërparlamentar mes parlamentit evropian dhe parlamenteve të vendeve Ballkanike.
Për sa i përket liberalizmit të vizave, PE-ja thekson rëndësinë e këtij procesi si një mjet për ta afruar popullin e rajonit me BE-në. Por në radhë të parë kërkohet që vendet e Rajonit të heqin vizat për njëri-tjetrin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe më pas të plotësojnë kushtet individuale për heqjen e vizave. Në një pikë të rezolutës thuhet se BE duhet të shmangë krijimin e një situate ku të krijohen diferenca mes vendeve të Ballkanit, veçanërisht në procesin e liberalizmit të vizave, çka do të thotë se favorizohet liberalizimi për gjithë vendet e rajonit në të njëjtën kohë.
Gjithashtu në këtë rezolutë kërkohet që të rriten fondet për bursa studimi për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Kërkohet të krijohet dhe një kornizë investimi për rajonin në 2010 që do të koordinojë të gjithë fondet, huatë, apo grandet që jepen nga BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›