“Manjola Bejleri diskreditoi figurën e gjyqtarit, duke cenuar autoritetin e pushtetit gjyqësor”
Teksti i plotë i kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë
TIRANE – “Gjyqtarja Manjola Bejleri, ka diskredituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, duke cenuar në përgjithësi prestigjin dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor, prandaj ajo duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore, sipas neneve 147, pika 4 e Kushtetutës dhe Nenit 33 germa ‘ç’ e Ligjit Nr. 9877, datë 18. 02. 2008 ‘Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’”.
Ky është konkluzioni që Ministria e Drejtësisë ka arritur në kërkesën drejtuar Bamir Topit, President i Republikës, Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiut, zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Valbona Vatës, Kryeinspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nëpërmjet së cilës, kërkon procedimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Manjola Bejleri.
Sipas kërkesë së Ministrit të Drejtësisë për KLD-ën, mësohet se, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka kryer verifikimin e ankesës së gjyqtares Manjola Bejleri në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, objekt i së cilës është ushtrimi i funksioneve administrative të Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Albert Meça lidhur me kërkesë-padinë civile të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka Nr. 2563 Prot., viti 2007 dhe është hedhur në shortin e datës 07. 06. 2007.
Pas këtij verifikimi, duke shpjeguar, zvarritjen e pajustifikuar që gjyqtarja Manjola Bejleri i ka bërë fillimit të një procesi gjyqësor, Ministri i Drejtësisë, ka shpjeguar midis të tjerave se, “Veprimet e gjyqtares Manjola Bejleri përbëjnë shkelje disiplinore, të cilat parashikohen nga neni 32 i Ligjit Nr. 9877, datë 18. 02. 2008, ‘Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’, respektivisht në pikën 3 germa ‘a”, ku thuhet, ‘Janë shkelje të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit; zvarritja e pajustifikuar dhe e përsëritur e veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit, kur zvarritja ka pas sjellë ose mund të sillte pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë’”.
Shorti i refuzuar
Zanafilla e procedimit disiplinor të gjyqtaren Manjola Bejleri daton në 7 qershor 2007, ku shorti i hedhur ka caktuar këtë gjyqtare si gjykuese të dosjes me palë paditëse, Shoqëria Top Channel, sh. a., etj., dhe të paditur, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, lidhur me prishjen e një kontrate qiraje dhe detyrimet që rrjedhin pas kësaj.
Një ditë pas shorit të hedhur, në datën 8 qershor 2007, gjyqtarja Manjola Bejleri, i ka paraqitur kërkesë me shkrim Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i kërkuar rihedhjen në short të kësaj çështje civile në dhomën civile, e jo siç ishte hedhur në fakt në dhomën e çështjeve tregtare.
Më datë 14 qershor 2007, Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ka marrë shpjegimet me shkrim nga Kancelari i Gjykatës për këtë rast, i ka kthyer gjyqtares aktet që i përkasin kërkesë-padisë, me argumentimin se nuk konstatonte asnjë shkak për të anuluar apo përsëritur shortin e kësaj çështje civile.
Pas kësaj, gjyqtarja Manjola Bejleri kërkon ndihmën e KLD-së.
Në datën 18 qershor 2007, ajo ka paraqitur kërkesë me shkrim në drejtim të Inspektoratit të KLD-ës, nëpërmjet së cilës kërkon, “Duke mos qenë e një mendimi juridik me Kryetarin dhe Kancelarin e Gjykatës, si dhe për të evituar çdo dyshim që mund të ngrihet lidhur me procedurën e hedhjes në short të kësaj çështje po ju drejtohem juve, duke kërkuar dhënien e një zgjidhje ligjore lidhur me kërkesën time sa sipër...”.
Mosgjykimi i çështjes
Gjyqtarja në letrën drejtuar Inspektoratit të KLD-ës, mësohet se, ka pranuar se, “...deri në këtë moment nuk është kryer asnjë veprim procedural për shqyrtimin gjyqësor të saj...”.
Gjithashtu, në procesverbalin për pasqyrimin e veprimit të verifikimit, të mbajtur nga Inspektori i Inspektoratit të KLD me datë 20 qershor 2007, Gjyqtarja Manjola Bejleri ka pranuar se, “nuk kam bërë asnjë lëvizje për ta vënë çështjen në shqyrtim, sepse menjëherë kam vënë re parregullsitë në veprimtarinë procedurale të hedhjes se saj në short dhe të gjitha materialet origjinale ia kam çuar KLD-së, (Inspektoratit )”.
Gjithashtu me tej ajo ka shpjeguar se avokati i palës paditëse është interesuar, dhe e ka vënë në dijeni për veprimet proçeduriale që po kryente.
Mësohet gjithashtu se, në interes të gjykimit të çështjes, nga ana e Inspektorit të KLD-së, me procesverbalin e datës 20 qershor 2007, gjyqtares i janë dorëzuar të gjitha materialet origjinale që lidhen me këtë çështje si kërkesëpadi etj, pasi gjyqtarja ja kishte bashkangjitur ato ankesës drejtuar Inspektoratit të KLD-ës.
Sqarimi i kryetarit të Gjykatës
Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Albert Meça, në procesverbalin e datës 21 qershor 2007 për pasqyrimin e veprimit të verifikimit, të mbajtur nga Inspektori i KLD-së, ka shpjeguar se për problemin e ankesës së gjyqtares Manjola Bejleri, i është përgjigjur me shkrim. Lidhur me shortin Kryetari është shprehur se, “ nuk rezulton që Kancelari të ketë shkelur apo ta ketë kryer jashtë kompetencave të tij këtë detyrë..., pretendimet e saj nuk qëndrojnë, shorti hidhet me të njëjtën formulë për të gjithë gjyqtarët”.
Nga ana tjetër, mësohet se, gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas vendimit te brendshëm me shkresën Nr. 497 Prot., të datës 5 shkurt 2007, të Kryetarit të Gjykatës Albert Meçe, funksionon me dhomë penale dhe dhomë civile, ku kjo e fundit përbehet nga seksioni familjar, seksioni tregtar dhe seksioni administrativ. Pikërisht në seksionin tregtar është e caktuar edhe gjyqtarja Manjola Bejleri.
Në përfundim të verifikimit, mësohet gjithashtu se, gjyqtares Manjola Bejleri iu parashtruan në një relacion shkeljet e konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Pare Tiranë, lidhur me shqyrtimin e kësaj çështje, për të cilat ajo parashtroi observacionet dhe vërejtjet e saj.
Konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, mësohet se, problemi qe ngre gjyqtarja Manjola Bejleri, është se çështja objekt i këtij ankimi, duhej të ishte hedhur ne short në dhomën civile sepse sipas saj është një çështje e pastër civile, pra për tu shpërndarë midis gjyqtarëve te tre seksioneve dhe probabiliteti mund të ishte që kjo çështje të mos i binte asaj, sepse në seksionin tregtar janë vetëm 10 gjyqtarë, kurse në atë civil në përgjithësi marrin pjesë gjyqtarë të tre seksioneve. Por nga Kancelari dhe Kryetari i Gjykatës i është shpjeguar se kjo çështje u hodh në seksionin tregtar, pasi për nga natyra është më afër këtij seksioni se sa me seksionin familjar dhe atë administrativ.
Kurse lidhur me kërkesën e gjyqtares në drejtim të Inspektoratit të KLD-ës dhe Ministrit të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, sqaron se baza ligjore, që i referohet gjyqtarja Manjola Bjeleri në këtë kërkesë, konkretisht neni 17 i ligjit Nr. 8436, datë 28. 12. 1998, “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, është shfuqizuar me nenin 39 të ligjit Nr. 8811, date 17. 05. 2001, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Kërkesa e gjyqtares Manjola Bjeleri nuk është objekt i punës së Inspektoratit të KLD, vlerëson midis të tjerave Ministria e Drejtësisë, e cila i referohet edhe të drejtave dhe detyrave të KLD-ës dhe Inspektoratit të KLD-ës që rrjedhin nga Ligji Nr. 8811, datë 17. 05. 2001, “ Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Kryerja e nje veprimi të tille nga ana e Inspektoratit te KLD, do te ishte tejkalim i tagrave të këtij institucioni, vlerëson midis ët tjerave Ministria e Drejtësisë
Kushtet e gjyqtares Manjola Bjeleri
Ministria e Drejtësisë sqaron më tej se, duke e ndjekur në vijim këtë çështje, në datën 23 shtator 2007, nga Inspektorati i KLD-së u konstatua se përsëri gjyqtarja nuk e kishte vënë në lëvizje këtë çështje, pra nuk kishte caktuar datë për gjykimin e saj. Për këtë fakt është mbajtur procesverbal, dhe në shpjegimet e saj gjyqtarja vuri si kusht se, kërkon një përgjigje me shkrim nga inspektorati. Në këtë kuadër, nga ana e Inspektorit të KLD-ës u përgatit përgjigja e cila i është dërguar me shkresën Nr. 902 Prot., datë 29 tetor 2007, në të cilën i është shpjeguar gjyqtares se, “...Moskryerja e veprimeve për zhvillimin e gjykimit të çështjes, përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor”.
Por edhe pas kësaj përgjigje, të cilën gjyqtarja e kishte kërkuar si kusht për të vijuar gjykimin, mësohet se ajo nuk ka caktuar datë gjykimi.
Në KLD ka mbërritur një letër tjetër nga kjo gjyqtare me Nr. 1366 Prot., datë 2 nëntor 2007. Me këtë letër ajo i është drejtuar Ministrit të Drejtësisë dhe ka vënë në dijeni Inspektoratin e KLD, Kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kancelarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Përsëri në këtë letër gjyqtarja këmbëngul se do patjetër një përgjigje me shkrim, që të vërë në lëvizje çështjen.
Pra që nga data 7 qershor 2007, e deri në datën e mbërritjes së letrës 2 nëntor 2007, gjyqtarja Manjola Bejleri nuk ka caktuar një datë gjykimi për fillimin e shqyrtimit të çështjes.
Propozimi për procedimin disiplinor
Pavarësisht pretendimeve të gjyqtares për hedhjen e shortit etj, gjyqtarja duhej të vazhdonte gjykimin e çështjes, për të mos krijuar shqetësime dhe zvarritje të panevojshme për palët në proces, sqaron Ministria e Drejtësisë, në kërkesën drejtuar KLD-ës, për procedim disiplinor ndaj gjyqtares Manjola Bejleri. Por nga ana e gjyqtares Manjola Bejleri, deri në momentin e verifikimit nga ana e Inspektoratit të KLD, rezulton që ajo nuk ka caktuar një datë gjykimi, duke ju mohuar kështu palëve ndërgjyqëse të drejtën e një gjykimi publik e brenda një afati të arsyeshëm, konform nenit 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, “Veprimet e Gjyqtares Manjola Bejleri përbëjnë shkelje disiplinore, të cilat parashikohen nga neni 32 i Ligjit Nr. 9877, datë 18. 02. 2008, ‘Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’, respektivisht në pikën 3 germa ‘a’, ku thuhet, ‘Janë shkelje të rënda aktet dhe sjelljet që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit; zvarritja e pajustifikuar dhe e përsëritur e veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit, kur zvarritja ka pas sjellë ose mund të sillte pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë’”.
“Gjyqtarja Manjola Bejleri, gjithashtu ka diskredituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, duke cenuar në përgjithësi prestigjin dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor, prandaj ajo duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore, sipas neneve 147, pika 4 e Kushtetutës dhe Nenit 33 germa ‘ç’ e Ligjit Nr. 9877, date 18. 02. 2008 ‘Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’”, bën të ditur më tej Ministria e Drejtësisë e cila bëri të ditur se i ka propozuar KLD-ës, procedimin disiplinor të gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Manjola Bejleri., duke propozuar si masë, “Dërgim për 1 deri 2 vjet në një gjykate të të njëjtit nivel, jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij”