E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca në zgjedhje parlamentare

Dhjetëra miliona francezë janë nisur drejtë kutive të votimit që prej mëngjesit të së dielës, për të përzgjedhur anëtarët e Parlamentit të ri të vendit.

Nga rezultatet e zgjedhjeve do të përcaktohet nëse programi i reformave të paralajmëruara nga presidenti Francois Hollande do të mbështetet nga francezët, apo nëse opozita e “UMP”-së, partia e ish-presidentit, Nicolas Sarkozy, do të arrijë të imponojë qeverinë e saj.

Sipas sondazheve parazgjedhore, socialistët dhe të djathtët pritet të kenë një dallim shumë të ngushtë, me secilën prej palëve që vlerësohet të ketë një mbështetje prej rreth 32 për qind.

Votimet për Asamblenë Kombëtare janë të ngjashme me ato presidenciale, me disa kandidatë në garë në çdo rajon zgjedhor në rrethin e parë, përpara balotazhit që do të zhvillohet një javë më pas.

Sipas ekspertëve, një fitore e socialistëve do t’i jepte mandatin Hollande që të vazhdonte me politikën e rritjes së tatimeve për të pasurit dhe të politikave të tjera fiskale që ka paralajmëruar.

Nëse të majtët do të humbin, presidenti Hollande do të ishte i detyruar të shkarkonte nga detyra kryeministrin e sapozgjedhur, Jean-Marc Ayrault dhe të zgjidhte një tjetër kryeministër nga radhët e “UMP”-së.

Një koalicion me të djathtën është ajo që socialistët duan të shmangin me çdo kusht, por sidoqoftë, bashkëpunimi me Partinë e Gjelbër dhe radikalët e majtë, sipas medieve franceze parashikohet gjithsesi i vështirë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›