Italia ndal kampionin

Italianët e nisën më mirë duelin, pasi gjatë pjesës së parë, ata i krijuan disa raste të mira shënimi, por portieri Iker Casillas e shpëtoi ekipin e tij pa pësuar gol. Ndërkohë, as spanjollët nuk i shfrytëzuan nja dy mundësi të tyre, dhe kështu kjo periudhë e lojës përfundoi pa gola.
Në pjesën e dytë Spanja dominoi në fushën e blertë, por Italia ishte e para që kaloi në epërsi prej 0:1. Realizues ishte Antonio Di Natale në minutën e 64-të, kur u shërbye për mrekulli nga Andrea Pirlo.
Mirëpo, vetëm tre minuta më vonë ‘Stuhia e Kuqe’ i barazoi shifrat në 1:1 nëpërmjet Cesc Fabregasit, i cili mori një top të mirë nga David Silva. Me këtë rezultat edhe ka përfunduar ndeshja, pasi deri në fund të saj spanjollët e as italianët nuk i kanë shfrytëzuar shanset për të shënuar.
Sidoqoftë, me lojën e treguar, ekipi i Prandellit dëshmoi se ka fuqi për të luftuar me favoritët kryesorë për titull të kampionit, pasi që e tillë nuk konsiderohej para fillimit të këtij evenimenti, ngase thuhej se skandali i kurdisjeve në futbollin italian mund të ndikoj negativisht në psikikën e reprezentuesve të këtij shteti.