E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet me ekskavator kisha e Shën Mërisë në Brarë

Kisha e Shën Mërisë së Brarit, një nga monumentet më të njohura në zonën e Dajtit, është gërmuar këto ditë në mënyrë vandale. 

ANILA MEMA

 Në tre vende të ndryshme brenda mureve të saj, janë hapur gropa të thella dhe janë shkatërruar varre e mure të lashtë. Ngjarja ka ndodhur tri ditët e fundit dhe lajmi ka shkuar në Institutin e Monumenteve të Kulturës, nga inspektori i kulturës së komunës së Dajtit. Nga verifikimet e kryera në zonë si dhe fotografimet e shumta të bëra nga specialistët e IMK-së, mësohet se gërmimet në ambientet brenda kishës së lashtë të jenë kryer me ekskavator. Specialisti në sektorin e arkitekturës antiko-mesjetare, i cili është marrë gjatë me këtë kishë në fshatin Brarë të kryeqytetit, Spiro Nika, nuk do ta quante tjetër veçse një skandal dhe një veprim vandal me monumentin e kulturës. Shkatërrimi i kishës, sipas tij, është bërë në mënyrë të tmerrshme. “Janë hapur gropa të thella dhe të mëdha në sipërfaqe, që do të thotë se shkatërruesit kanë shkuar për të vjedhur varret në këtë kishë. Janë kryer gërmime skandaloze në një varr me mure tulle dhe me faqe anësore, ndërsa në një tjetër vend është hapur një gropë, në të cilën kanë dalë pjesë skeletesh. Por nuk dihet se kush i ka gërmuar”, tregon specialisti Nika, i cili shton se tashmë problemi ka kaluar në Drejtorinë rajonale të Monumenteve të Kulturës së Tiranës.
* * *
Rrënojat e kishës së Shën Mërisë së Brarit ndodhen në bregun e djathtë të lumit të Tiranës, aty ku ai del nga shkalla e Tujanit. Vendasit i njohin rrënojat me emrin kishë. Në relacionet kishtare të Mark Skurës, dërguar Romës mbi vizitat e tij në Shqipëri në vitet 1641-1644, mësohet se kisha e Shën Mërisë është një kishë e madhe, e bukur, me shtroje prej pllakash mermeri dhe një kambanore. Sipas specialistit Nika, përveç shkatërrimit të monumentit të kulturës, nuk dihet me saktësi se çfarë mund të jetë vjedhur në të, kjo për faktin se nuk ekzistojnë inventarë. Gërmimet në këtë kishë janë kryer për herë të parë në 1982 nga Aleksandër Meksi dhe Damian Komata. Në një përshkrim të këtyre të fundit, bërë në numrin 2 të revistës “Iliria” të vitit 1987, mësojmë se për datimin e kishës është gjendur vetëm një datë, ajo e gjetur mbi mbishkrimin e një varri qendror, viti 1201. Por sipas Spiro Nikës, pavarësisht se kisha e Brarit është shpallur prej vitesh monument kulture, kufijtë e saktë të saj nuk dihen ende, dhe nuk ka një studim të mirëfilltë për të, pasi zona është në proces tenderimi midis komunës dhe repartit ushtarak nr. 4300, gjë që do të thotë se shkatërrimi nuk mund të jetë vetëm aq sa është vërtetuar këto ditë. “Ne kishim një projekt, që në këtë kishë të bëhej gërmimi i plotë arkeologjik i monumentit. Duke qenë se ishte brenda zonës së një reparti ushtarak, ruajtja e këtij monumenti u mor si e mirëqenë. Por procesi i tenderimit e ka lënë pezull për mjaft kohë ndërhyrjen tonë në këtë zonë, për të bërë studimin e plotë të monumentit”, shton Nika, i cili nuk mund të lejë pa përmendur edhe faktin se monumenti dhe peizazhi rrotull saj, ka kohë që është shkatërruar dhe ndotur nga dy gurore që ndodhen aty pranë dhe punojnë vazhdimisht. Sipas tij, edhe ura e Brarit, që ndodhet pak më poshtë kishës, ka humbur funksionimin nga të dyja krahët e kalimit në të, për shkak të hedhjes së mbeturinave në atë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›