Franca rekomandon heqjen e protezave të gjoksit
Ministria franceze e Shëndetësisë së Francës u ka rekomanduar mijëra femrave në Francë që të heqin protezat e silikonit në gjoks, të kryera nga një firmë lokale, që eksporton produktet e veta në shumë vende të botës.
Sipas ministrit Xavier Bertrand, tek protezat e firmës PIP është vënë re një numër i madh i dëmtimeve, ndaj femrat që kanë mbushur gjoksin me këtë lloj implanti duhet ta heqin atë si masë parandaluese.
Nuk ka asnjë rrezik të pranisë së materialeve kancerogjene në to, thekson ministri francez i Shëndetësisë. Në Francë vlerësohet se rreth 30 mijë femra i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale estetike duke përdorur protezat e prodhuara nga kompania Poly Implant Prothese.
Raportohet se më shumë se 300 mijë produkte të kompanisë janë shitur nëpër botë para ndalimit në vitin 2010, kur u konstatua se implantet kishin përbërës jocilësorë.
G.N. / Redaksia Online