E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Përjashtimi i Islamit gabim, në PS kam mbështetje për president

“Përjashtimi i Islamit nga PS, një gabim fatal. Shpresoj që PS të gjejë forcat të ndreqë këtë gabim”

Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano ka komentuar dje disa nga çështjet e politikës së ditës ndërsa ishte duke dalë nga homazhet që kreu në ambasadën çeke në Tiranë, për nder të ish-presidentit Vaclav Havel. Në komentin e tij, Nano është ndalur tek ndodhitë më të fundit që kanë ndodhur në radhët e forcës politike që ai ka drejtuar. Kryesisht tek përjashtimi i deputetit Kastriot Islami. Nano e ka cilësuar një vendim të tillë nga ana e PS-së, si një gabim fatal, por që duhet rregulluar pa humbur kohë. Më tej Nano ka komentuar edhe mundësinë e kandidimit të tij për President, duke rikonfirmuar se një opsion i tillë është i mundshëm në idetë e tij për të çuar më tej zhvillimin e vendit. Lidhur me këtë Nano ka theksuar se në forcën politike që ai ka drejtuar, ka një mbështetje më të madhe sa ç’mund të mendohet. Ish-kreu socialist i bëri këto komente pas përfundimit të homazheve që kreu në ambasadën çeke në Tiranë për nder të ish-presidentit Vaclav Havel, i cili ndërroi jetë ditën e diel në moshën 75-vjeçare.

Përjashtimi i Islamit

Ish-kreu i Partisë Socialiste ka komentuar ditën e djeshme baticat dhe zbaticat që po kalon forca politike që ai ka drejtuar. Duke u ndalur veçanërisht tek përjashtimi i deputetit Kastriot Islami nga grupi parlamentar i PS-së. Ai u shpreh se ajo çka ndodhi është një njollë dhe një barrë e rëndë për fatin e kësaj force politike. Nano e konsideroi si fatal gabimin që PS bëri me të parin përjashtim në historinë e saj. Megjithatë, Nano theksoi se mbetet ende i hapur opsioni që PS të rikuperojë gabimin e rëndë që bëri. “Përjashtimi i Islamit nga PS, një gabim fatal. Shpresoj që PS të gjejë forcat të ndreqë këtë gabim fatal”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›