E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca sjell me pranga mikun e Haklajve

Ekstradohet nga Franca ishpolici
që mori pjesë në
vjedhjen e bankës në Bajram
Curri dhe u dënua me dhjetë
vjet burg. I kërkuar prej më
shumë se dhjetë vjetësh, Petrit
Brahaj është gjetur në Paris, ku
është prangosur për llogari të shtetit
shqiptar dhe dje është ekstraduar
në Tiranë. I njohur prej
vitesh si ish-speciali i RENEA-s, i
cili u kthye ndër personat më të
kërkuar nga Tropoja për grabitjen
e bankës së kursimeve, ai është
gjetur rreth një vit më parë në
Francë, ku është kapur dhe arrestuar
për llogari të drejtësisë shqiptare.
Sipas policisë, ekstradimi
i tij u bë pasi është dënuar me
dhjetë vjet burg për grabitje të
bankës së kursimeve. Bëhet fjalë
për historinë kur disa persona shkulën
hekurat e dritares me një
vinç dhe tërhoqën zvarrë arkën,
pasi nuk mund ta hapnin për të
vjedhur paratë. Më datën 28 tetor
1998, rreth orës 01:30, në qytetin
e Bajram Currit, ai, bashkë me
disa persona të tjerë, vodhën
bankën e kursimeve të Rrethit
Tropojë. Brahaj njihet edhe si mik
i ngushtë i Fatmir Haklajt dhe i
Jaho Salihut.
Në atë kohë, në bankën e qytetit
të Bajram Currit kishte mbërritur
një shumë prej 60 milionë lekësh
të reja. Pas veprimeve të
rregullta ditore bankare, nga shuma
kishte mbetur sasia prej 49
milionë e 361 mijë lekë, bilanc ky
i nxjerrë nga punonjësit e bankës,
pak çaste para lënies së punës
dhe mbylljes së bankës. Të nesërmen
në mëngjes, punonjësit kur
shkuan në punë, kanë vënë re se
dritarja e bankës ishte hequr dhe
kanë vajtur direkt për të verifikuar
nëse ndodheshin paratë
brenda në bankë, por nuk kanë
gjetur asnjë qindarkë nga shuma
e parave të mbërritura një ditë më
parë nga Tirana. Menjëherë ata
lajmëruan policinë për vjedhjen
spektakolare. Hetimet kanë çuar
në konkluzionin se personat që
kishin grabitur paratë, hoqën në
fillim dritaren e ndërtesës dhe më
pas kishin hyrë brenda për të
marrë paratë. Gjatë largimit me
paratë e bankës, hajdutët kishin
harruar të largonin e të fshihnin
nga vendi i ngjarjes dritaren e
hequr, e cila më pas u mor në cilësinë
e provës materiale. Kjo dritare,
pasi u mor në analizë nga ekspertët
e laboratorit kriminalistik
në Tiranë, bëri të mundur identifikimin
e personave që kishin
vjedhur paratë. Në bazë të shenjave
të gishtave u arrit në përfundimin
se në dritare kishin mbetur
gjurmët e gishtave të dy personave,
njëri prej të cilëve ishte polici
Petrit Brahaj, ndërsa personi
tjetër që ka bashkëpunuar me të
pandehurin, ende nuk është
identifikuar. Duke hedhur poshtë
pretendimin e mbrojtjes së të
pandehurit, se lënia e gjurmëve
mund të ketë qenë e rastësishme,
prokurori sqaroi se në bazë të ekspertizës
kriminalistike, gjurmët
e gishtave të mbetura në dritare i
përkisnin personave që e kishin
hequr atë, pasi kjo vërtetohej në
bazë të formatimit të gjurmëve të
lëna. Përveç fakteve të analizave
laboratorike, prokurori sqaroi se
vjedhja e bankës ishte e faktuar
edhe nga dëshmitarë okularë. Në
fund të seancës, trupi gjykues,
pasi ka dëgjuar ankimimin e
avokatit mbrojtës dhe akuzat e
faktet e prokurorisë, ka mbajtur
në fuqi vendimin e Gjykatës së
Shkallës së Parë të Tropojës, duke
e deklaruar shtetasin Petrit Brahaj
fajtor dhe duke e dënuar atë
me dhjetë vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›