E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca tërhiqet nga Afganistani në korrik

10-06-2012 / Gazeta 55

Parisi s’do të respektojë afatin e NATO-s, pas vrasjes së 4 ushtarëve francezë

Franca do të fillojë tërheqjen e trupave nga Afganistani në muajin korrik dhe deri në fund të vitit do të jetë larguar edhe ushtari i fundit. Lajmin e ka bërë me dije presidenti Fransua Hollande sot gjatë një deklarate për mediat. Konfirmimi i tërheqjes vjen një ditë pasi një sulm në krahinën e Kapisës mbetën të vrarë katër ushtarë francezë, ndërsa pesë të tjerë u plagosën.
Talibanët deklaruan se sulmi vetëvrasës kishte si synim të dëmtonte “trupat pushtuese” të NATO-s. Tërheqja brenda vitit prej Afganistanit ishte një prej premtimeve kryesore të fushatës zgjedhore të Hollande. Kjo do të thotë se Parisi zyrtar nuk do të respektojë afatin e NATO-s, që ka caktuar vitin 2014 për largimin prej Afganistanit. Deri sa trupat tanë të jenë larguar përfundimisht nga Afganistani duhet bërë çdo gjë për të mbrojtur jetën e tyre – tha Hollande. Franca është aktualisht kontribues i pestë më i madh të forcës ISAF të NATO-s, me gati 3300 ushtarë. 87 trupa franceze kanë humbur jetën në Afganistan që prej vitit 2001. Një prej shteteve më të varfra në botë, Afganistani me 30 milionë banorë ka përjetuar një përshkallëzim të ndjeshëm të dhunës në muajt e fundit, ndonëse 130 mijë trupa të NATO-s duhet të sigurojnë paqen në vend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›