E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidentin e zgjedhim me 71 vota, por do tentojmë konsensusin”

10-06-2012 / Gazeta 55

Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së

Mazhoranca lë të hapur rrugën e konsensusit edhe në raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit, i cili do të mbahet këtë të hënë. Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se mazhoranca do ta shmangë maksimalisht rënien në kurthin e numrave në raundin e katërt për Kreun e ri të Shtetit, pasi sipas tij zgjedhja e një Presidenti konsensual do t’i shtronte rrugën të zgjedhurit për atë post të vepronte i qetë në mandatin 5 vjeçar të tij.
“Duke mos gjetur një arsye të mos arsyes të zotit. Rama duhet o të vendosim rregulla se si duhet të zgjedhim një President,ose të kalojmë direkt në emra. Ajo që është e sigurt se do të ndodhë është se të hënën kemi një seancë votimi dhe pas të hënës seancën e fundit. Në të katërtin raund kurrsesi nuk biem në kurthin e numrave, në 71. Ne jemi në çdo rast për një figurë presidenciale konsensuale, jo për ti bërë qejfin një tekanjozi si z.Rama, por për të dëshmuar një pjekuri dhe emancipim politik. Presidenti i ri i Shqipërisë në mënyrë që të ushtrojë mandatin e tij 5 vjeçar në mënyrë të paqtë, që të jetë unitet i kombit shqiptar, do duhet të marrë këtë legjimitet moral që në zgjedhjen e tij, në të kundërt ai do të ishte i cenuar, i gjymtuar”, tha Alibeaj.
Pas tërheqjes nga gara të kandidatit jozyrtar të mazhorancës, Alibeaj gishtin e drejton nga politika, pasi sipas tij të bërit karshillëk figurës së Xhezair Zaganjorit me një figurë me të njëjtin ngjyrim do të ishte një fyerje, në kushtet e mospasjes asnjë akuzë publike kundrejt integritetit të tij.
“Unë mendoj që Presidenti i Republikës siç është vizatuar nga Kushtetuta ka dy lloj kompetecash, ato juridike-gjyqësore dhe së dyti ai duhet të dalë si një figurë politike për raste deçizive për vendin. Deri më sot ka vuajtur në të qenit një figure e moderuar politike, për këtë jam i mendimit që duhet të jetë figurë politike e testuar dhe e staxhionuar. Për sa kohë Rama s’dha asnjë arsye në kundërshtimin e figurës së Zaganjorit do të ishte fyerje të nxirrnim një figurë që të kishte të njëjtin ngjyrim me atë të Zaganjorit. Të qenit politik, por jo-ekstremisht politik do të ishte më e arsyeshme. Mundësitë dhe hapësirat janë, kohë për tu dhënë hapësirë tekave dhe mosbesimit të Ramës nuk kemi. Posti i Presidentit mund të ishte një post pensionisti, nuk mund të rrimë në këtë çështje kur kemi angazhime më të mëdha përpara”, shtoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›