E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca voton protokollin, Topalli falënderon Larcher

 

Senati francez ka përfunduar procesin e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur dje vendimin për ratifikimin e protokollit. “Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndet ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati francez, duke bërë kështu që Franca të jetë vendi i 20-të anëtar, që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, thuhet në njoftimin për shtyp. Pas marrjes së këtij lajmi, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli i shprehu dje pasdite mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Shqipërisë për senatorët francezë, që ratifikuan në unanimitet protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në letrën drejtuar Kryetarit të Senatit francez, Gérard Larcher, e falënderoi  për angazhimin e tij personal, për përfshirjen në axhendën e Senatit dhe  aprovimin e këtij protokolli, brenda një kohe të shkurtër. Kryetarja e Kuvendit pati një bisedë telefonike me Bernard Fournier, kryetar i Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në Senatin francez, të cilin e falënderoi për kontributin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›