E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neranxi: Bollano mashtroi me pronat e Himarës

 

Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, në vazhdën e denoncimeve të herëpashershme që ka bërë për kreun e Bashkisë së këtij qyteti Vasil Bollano, ka bërë reagimin e radhës para godinës së kësaj bashkie në Himarë. “Jam sot këtu para godinës së bashkisë së qytetit tonë për disa arsye, të cilat bashkohen në një çështje, në hallin e madh që kemi ne himarjotët për tokën tonë, për amanetin e të parëve tanë”, është shprehur ai para mediave dhe para disa banorëve të kësaj zone. Neranxi është shprehur se Bollano ka “uzurpuar këtë godinë të pushtetit lokal dhe se mandati i tij është një mëkat në kurriz të krahinës dhe banorëve  të Himarës”. Deputeti i LSI-së, e ka quajtur kryebashkiakun një person abuzues, një ujk që po grabit fshehurazi pronat e himarjotëve, një bashkëpunëtor në krimin e vjedhjes së tokave, në Jalë, Gjipe, Porto Palermo, në kodrën Goro, Llaman, Spile e Qeparo. Akuzat e deputetit shkuan edhe më tej kur ai theksoi, se ky kryebashkiak lokal është i zhytur në aferat e lejeve të ndërtimit për të huajt, që kanë ardhur gjatë tre viteve të fundit në Himarë. “Në atë kuvend pushtuesi i bashkisë u betua se në datën 28 dhjetor do të përfundonte raportin e komisionit për verifikimin dhe ndarjen e pronave tek i zoti. Ky mashtrues publik i krahinës, e ka kaluar çdo afat të premtimeve duke mos dhënë asnjë zgjidhje. Sot jemi në datën 4 shkurt por tokat në Himarë, jo vetëm nuk kanë shkuar tek i zoti, por janë grabitur dhe më shumë”, ka thënë Neranxi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›