Të përndjekurit te Topi për dëmshpërblimin
Ish-të përndjekurit politik të Malësisë së Madhe shprehin shqetësimin lidhur me trajtimin e tyre nga strukturat shtetërore. Gjatë një takimi me Presidentin Topi, ata kanë vënë theksin te disa probleme, si dëmshpërblimi, punësimi dhe rehabilitimi pas rënies së sistemit komunist. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës “Ish-të përndjekurit i parashtruan shqetësimet e tyre lidhur me trajtimin dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore, si përsa i përket dëmshpërblimit, shkollimit, punësimit, ashtu edhe me rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, si dhe vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945 në Malësinë e Madhe”. Nga ana tjetër kreu i shtetit u shpreh se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje të madhe shqetësimet e tyre të përcjella institucionalisht dhe përmes mediave, duke theksuar se: “është detyrim jo thjesht i Institucionit, por është dhe detyrim moral. Ju jeni një përfaqësi të nderuar të një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje, por që është një shtresë që ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri. Patjetër që jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive, që duhet të ketë shoqëria jonë”. Gjithashtu Presidenti Topi u sugjeroi përfaqësuesve të ish-të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët edhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t’i zgjidhur ato, siç e tregon dhe takimi i sotëm, gjatë të cilit Kreu i shtetit theksoi “rëndësinë e mbrojtjes dhe evidentimit të vlerave të vërteta historike dhe morale, të ruajtjes së harmonisë shoqërore si dhe nevojën për vlerësim dhe integrim të kësaj shtrese aq shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare”.