E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, deputeti i PD: Të ndryshohet ligji

 

BLEDAR HOTI

Ende pa nisur mirë shpërndarja e fondit të dëmshpërblimit, demokratët kërkojnë ndryshimin e ligjit të ish-të përndjekurve. Deputeti i Shkodrës, Astrit Bushati ka depozituar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve një nismë për të amenduar ligjin e miratuar në 2007 nga kjo maxhorancë “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Për të shpejtuar procesin ligjvënës, deputeti i PD-së kërkon që ta miratojë në formën e një akti normativ. Bushati kërkon që te neni 8 i ligjit aktual të merren në konsideratë edhe ata ish-të përndjekur që nuk kanë pasardhës, por që fondet e dëmshpërblimit duhet t’i përfitojnë vëllezërit apo motrat e tij. Gjithashtu parashikohen që të përfitojnë edhe nipat e mbesat që kanë pasur kushërinjtë e tyre në burgje apo janë pushkatuar. Për të realizuar këtë proces, deputeti demokrat propozon dhe shtyrjen e afatit ligjor për depozitimin e dokumenteve ndaj kësaj kategorie personash, duke i lënë si afat 1 korrikun e këtij viti. “Mos paraqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 19, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik apo familjarin e viktimës me dënim kapital. Sipas këtij ligj, ish i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij ligjor apo familjar i viktimës së pushkatuar nuk mund të rivendosen në afat, për paraqitjen e kërkesës, pas datës 01.07.2009”, thuhet në propozimin e paraqitur. Bushati thekson se nisma e paraqitur synon të plotësojë një vakum ligjor të konstatuar në ligjin aktual. “Ky p/ligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Ai bën një plotësim të rëndësishëm të ligjit ekzistues, pasi zgjidh problemet që kanë dalë për shkak të kufizimeve për disa kategori personash të persekutuar nga regjimi komunist dhe të dënuar nga ligjet speciale të vitit 1945 dhe 1946, në këtë kuptim propozohet të riformulohet pika c) e nenit 5 të ligjit ekzistues”, thuhet në relacionin e paraqitur. Në këtë nismë kërkohet që të “përfshihen nenet 2,3,4,6,7,8 dhe 9 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 ‘Mbi fajet kontra popullit dhe shtetit’”. Për deputetin e PD-së, ky projektligj u mundëson familjarëve të dënuarve apo pushkatuar që nuk kanë qenë të martuar për të përfituar nga dëmshpërblimi. “Duhet theksuar se këta familjarë, pavarësisht nga persekutimi i veçantë që kanë pësuar për këtë shkak dhe përkujdesja e posaçme për të afërmit e tyre të pamartuar gjatë gjithë periudhës së persekutimit të tyre nga regjimi komunist, nuk kanë përfituar nga ligji i miratuar në vitin 2007”, thekson Bushati. Ndërsa është bërë e qartë se projektligji ka efekte financiare të vogla, pasi numri i këtyre personave është shumë i vogël në krahasim me numrin e përfituesve nga legjislacioni në fuqi. Nisma e paraqitur është përfshirë në kalendarin e punimeve dhe pritet që së shpejti pritet të diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

propozimet

“Neni 8
Riformulohet:
1. Në kuptim të këtij ligji, me familjarët nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit.
2. Në kuptim të këtij ligji, për personat që nuk kanë familjarë sipas përcaktimeve të pikës së parë të këtij neni, familjarë do të konsiderohen dhe vëllezërit dhe motrat e tyre, si dhe fëmija/fëmijët e këtyre vëllezërve të motrave.
3. Familjarët, në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë”.

Neni 19
Pika 1, ndryshon fjalia, “brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, zëvendësohet me fjalinë: “Brenda datës 01.07.2009”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›