Han ka frikë,mungesat e futin në panik
Ari Han është i shqetësuar, madje deri diku i trembur. Ai e di mirë se një dështim ndaj Maltës do të ishte fatal jo vetëm për skuadrën dhe tifozët shqiptarë, por sidomos për të. Pak kohë më parë deklaroi me mburrje se tashmë Shqipëria ka një grup prej 26 apo 27 lojtarësh dhe të gjitha repartet mund të dublohen pa problem. Ndoshta u nxitua, apo ndoshta nuk i peshoi mirë fjalët, pasi koha po tregon të kundërtën. Mungesa e Altin Lalës dhe ajo e Lorik Canës në qendër të mesfushës e kanë çorientuar totalisht holandezin, i cili ende nuk ka një plan se kush do t’i zëvendësojë dy kolosët kuqezi. “Do ta gjejmë një zgjidhje. Kemi lojtarët e duhur”, ka thënë dje shkurtazi tekniku.