France 1938: Italia “pushton” botën

Leonard Karaj (Panorma Sport): Ndërsa në Francë më 1938 zhvillohet kampionati i tretë botëror i futbollit, Spanja bëhet teatri i luftimeve të përgjakshme që kanë nisur dy vite më parë. Të egërsuar nga humbjet në zgjedhjet e Parlamentit spanjoll, forcat e djathta nisin luftën civile. Ushtritë kundër forcave republikane i udhëheq gjenerali Franko. Vendet e demokracisë perëndimore bëjnë sehir edhe kur Frankoja ndihmohet nga Musolini dhe Hitleri. Në mars të vitit 1938 Hitleri anekson Austrinë. Vigjilja e kësaj ngjarjeje është edhe Botërori francez. Uruguai nuk e ka harruar inatin e vjetër e ashtu si katër vjet më parë në Itali, nuk zbret në stadiumet e Francës. Po nuk vepron kështu Brazili i ushqyer nga iluzionet që më së fundi të fitojë kupën.
Ndeshjet
Për herë të parë fituesja e kupës dhe vendi organizues hyjnë drejt e në fushë. Kampionët e botës, italianët, në turin e parë mezi mundin Norvegjinë 2-1. Me shtesë loje, por me rezultat tenistik 6-5, Brazili fiton kundër Polonisë. Janë edhe tre takime të tjera që mbyllen me shtesë loje që në turin e parë; Kuba – Rumania 3-3, Çekosllovaki–Holanda 3-0 dhe Zvicra–Gjermania 1-1. Këto dy të fundit përsëriten dhe fitohen 4-2 dhe 2-1 nga gjermanët dhe kubanët. Brazili në çerekfinale, pas ndeshjes së parë me Çekosllovakinë, e përfunduar me gjithë shtesën e lojës 1-1, arrin ta mposhtë atë në ndeshjen e dytë 2-1 dhe shkon në gjysmëfinale me Hungarinë ku gjunjëzohet 2-1. Hungaria eliminon 5-1 Suedinë dhe fton në finale për titull Italinë.
Finalja
Ky takim është pasqyrë e dy koncepteve taktike krejt të ndryshme. Italianët luajnë me një ritëm të ngadalshëm për të shpërthyer në manovrimet para portës. Hungarezët, përkundrazi përkryejnë manovrimet klasike estetikisht të pakapshme të bazuara në mjeshtërinë teknike që mbështet në lëvizshmërinë e madhe. Në minutën e gjashtë shënojnë italianët. Pas një aksioni të gjatë koral Andreolo, Serantni, Biavati, Piola, gjuan Kolausi dhe gol. Po brohoritjet e italianëve i shuan hungarezi Titkos. Në stadiumin “Kolomb” ku zhvillohet takimi, shpërthejnë duartrokitje. Shihet që publiku francez anon nga ata. Po italianët nuk jepen. Përsëri aksion, këtë radhë telegrafik Koluasi, Ferrari, Meaca e Piola që merr topin e shënon. Në minutën e 35-të, golin e tretë e shënon Kolausi. Publiku francez tani anon nga italianët. Bashkë me ta dhe shumë specialistë, deri atëherë disi të ftohtë ndaj fitore të së kaltërve, të katër viteve më parë. Aq më tepër kur në fushë është një skuadër krejt e re dhe e ndryshme nga ajo e kampionëve të shkuar. Bien në sy, krahas sulmuesve, mbrojtësi Foni, Rava, Oliveri, Andredo, Serantoni. Po dhe hungarezët nuk duan të pajtohen me humbjen. 20 minuta para mbarimit shënojnë me anë të Sarosit. Atëherë luftojnë për të barazuar. Edhe një herë tjetër një aksion me shumë stacione nga italianët – Rava, Ferrari, Piola, duet i tij me Biavatin, tre kundërshtarë të dalë jashtë përdorimit, dhe 4-2.
Presidenti
Duartroket edhe presidenti francez Leburn që ndjek ndeshjen. Ai që me të ardhur në stadium, pa u ulur mirë pranë presidentit të FIFA-s Zhyl Rime, kishte bërë pyetjen trashanike “Cilët janë francezët”?. Dhe francezi Rime, pa e humbur toruan i ishte përgjigjur me gjakftohtësi: “Francezët janë… gjyqtari”, duke treguar me gisht në fushë gjyqtarin francez Kapdevil.
“Futbollin e kuptoj pak, po e shoh që fituesit zhvilluan një ndeshje të rrallë”, thotë Lebruni, ndërsa italianët ngrenë në supe trajnerin e tyre, Vitorio Poco.
Vitorio Poco, “gjeniu” i asaj periudhe
Lindur me 1886, djali i një industriali për prodhimin e materialeve të ndërtimit, në vitet e para të rinisë jepet shumë pas studimeve. Studion në Zyrih, ku diplomohet për gjuhë të huaja. E caktojnë disa herë në krye të ekipit kombëtar, por në vitin 1929 caktohet zyrtarisht dhe qëndron aty deri në vitin 1948, pra për 19 vite. Tjetër rekord i paarritur deri tani nga asnjë trajner i një ekipi kombëtar. I drejton të kaltrit në 87 ndeshje, nga të cilat 60 fitore, 16 barazime e 11 humbje. Po sukseset më të mëdha i përkasin periudhës 1934-1938, kur Italia fiton titullin dy herë Kampion Bote dhe njëkohësisht titullin e Kampionit Olimpik më 1936 në Berlin. Më 1948 skuadra olimpike Italiane nuk ka sukses në Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Londër. Ajo që e bën atë të paharrueshëm është edhe fakti që ka pasur ide gjeniale në drejtimin e skuadrës. Pasi e nisi me një formacion shumë sulmues, ai praktikoi i pari modulin e lojës (2-3-2-3) që bënte një mbrojtje shumë kompakte dhe një sulm shumë të rrezikshëm. Italia e tij ka qenë padiskutimisht ekipi më i mirë i asaj periudhe dhe ai ka një meritë të jashtëzakonshme. U largua nga futbolli në moshën 62-vjeçare dhe vendosi të bëhej gazetar. Gjithsesi, analizat që ai bënte ishin gjithnjë një këshillë shumë e vlefshme për ekipin kombëtar, i cili nuk arriti të jetë më aq i suksesshëm sa në kohën e tij, deri kur ndërroi jetë, në vitin 1968.
Silvo Piola, një çerek shekulli në fushat e futbollit
Duhej të sëmurej qendërsulmuesi i famshëm Meaca, që të thirrej Piola në kombëtare në vitin 1938. Që nga ai çast kombëtarja dhe Piola bëhen një binom i pandarë deri në Kampionatin Botëror që shënon apeteozën e këtij djaloshi 25 vjeçar, lindur më 1917 në Robio Lomelina dhe vendosur më pas në qytetin e vogël të Proverçelit. Ndonëse është i lartë 1.79, që 16-vjeç ai ndjell panik në portën kundërshtare kur nis të luajë me “Provercelin”. Në një takim me Fiorentinën shënon 6 gola. Kështu nis karriera e tij e gjatë që do ta shpjerë te Roma dhe Lacio, e pastaj siç thamë më sipër, në kombëtare. Takimin e fundit, nga 34 takimet me kombëtaren, e zhvillon më 18 maj 1952 në Firence me Hungarinë. Në skuadër ai shquhet për 30 golat e shënuar, një ndër ta me dorë, kundër anglezëve më 13 maj më 1934 në Milano. Pastaj ndërmerr karrierën e trajnerit, por pa sukses. Merret më pas me të rinjtë në Qendrën Sportive të Koverçanos deri më 1966 kur del në pension. Në Itali ka luajtur me skuadrat e Provercelit, Lacios, Juventusit e Novarës, duke zhvilluar 543 ndeshje dhe duke shënuar 290 gola.
Sharoshi, futbollisti avokat,
që e penguan në Hungari
Është i pamëshirshëm në fushë, por i drejtë në punë. Mbase sepse në moshën 24-vjeçare është diplomuar për drejtësi, por Këshilli i Avokatëve e ndalon të jetë futbollist profesionist dhe kështu mbetet diletant. Sharoshi e ka nisur jetën sportive që 14 vjeç, duke luajtur me Ferenevaroshin. Në moshën 17-vjeçare aktivizohet me kombëtaren. Hungarezi i pamëshirshëm zbraz 7 gola në portën e portierit të famshëm çek Planiçka, pesë në portën e portierit austriak Placer dhe po aq në atë të italianit Maseti, që ruante portën e Bolonjës gjatë një ndeshjeje për Kupën Mitropa. Kthehet në Hungari dhe mbetet gjithmonë futbollisti më i mirë i Ferencvaroshit. Më pas bëhet president i këtij klubi me tradita të mëdha në futbollin hungarez. Më 1948 Giorgi Sharoshi braktis Hungarinë dhe së bashku me gruan e tij, asistente në universitet, vendoset në Itali, që bëhet atdheu i tij i dytë. E ftojnë që të bëhet trajner, detyrë që e pranon me kënaqësi, ndonëse jo me aq sukses. Drejton Barin, Lukezen, Juventusin, me të cilin fiton një herë kampionatin, Xhenovën, Romën, Bolonjën dhe Breshian.
Sulmuesi Leonidas Da Silvia,
“diamanti i zi” i Brazilit
Lindur në Rio de Zhaneiro më 1910, Leonidasi shquhet së pari në skuadrat braziliane San Kristavo Bonsukseso, Vasko De Gama dhe pastaj në Nacional të Montevideos. Më pas kthehet në atdhe dhe aktivizohet me Batofogon, Flamengon, San Paolo, ku arrin të fitojë pesë tituj kampionësh. Luan futboll deri në vitin 1946, duke zhvilluar 25 ndeshje me kombëtaren dhe duke shënuar po aq gola. Po edhe më pas nuk e braktis topin e rrumbullakët. Bëhet radiokomentator, duke u sjelle brazilianëve lajme fitoresh dhe humbjesh të skuadrave të tyre. Kur italianëve u takoi të luajnë në gjysmëfinale kundër Brazilit, ata nuk menduan gjë tjetër veçse si të eliminojnë të panjohurin më të ndërlikuar të sulmit, Leonidas da Silvën, të mbiquajtur “diamanti i zi”. Me shtatë gola të shënuar, ai është shënuesi më i mirë i Botërorit të tretë.
Alfredo Foni, mbrojtësi
i diplomuar në ekonomi
Në pasditen e 21 nëntorit 1965, në tribunën qëndrore të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës, në ndeshjen Shqipëri–Irandë e Veriut, e fundit për eliminatoret e Botërorit që do të zhvillohej në Angli, po me aq emocione sa shikuesit tanë e ndiqte dhe një i huaj. Dhe pas mbylljes së këtij takimi me barazim 1-1, ai nuk u përmbajt, e duartrokiti nxehtësisht. Ky ishte Alfredo Foni, trajneri i skuadrës Kombëtare zviceriane. Alfredo Foni ka lindur në Udine më 1911. Me lojën e tij ai i tërheq vëmendjen e trajnerit Poco, i cili e fut në skuadrës olimpike e cila fiton medaljet e arta më 1936 në Berlin. Ky student po atë vit diplomohet në ekonomi e tregti, rast i rrallë për një futbollist profesionist. E nis veprimtarinë sportive me skuadrën e Udinezes. Së këtejmi luan në radhët e Juventusit, së cilës i mbetet besnik deri në vitin 1947 kur ndahet nga jeta sportive. Në Kampionatin italian të futbollit zhvillon 229 ndeshje dhe fiton një titull kampion (1934 – 1935). Me skuadrën kombëtare zhvillon 23 ndeshje. Në Botërorin e vitit 1938, ai ishte një pikat më të rëndësishme të skuadrës italiane, duke e ndihmuar atë që të triumfojë.
Domingos Da Gula, “ylli” që
u rrëmbye prej talentit
Lindur në 1911 në Rio De Zhaneiro, Domingos Da Gula, që në moshë të re bie në sy për të dhënat fizike. Të gjithë duan ta kenë në radhët e klubit të tyre. Ndër ta edhe drejtuesit e klubeve të huaja, sidomos atyre argjentinase. Po Guaia dëshiron që të mbetet në Brazil. Atëherë drejtuesit e skuadrës argjentinase, Boka Xhuniors, i punojnë një gënjeshtër. E bëjnë të takohet në një klub nate me një aktore të njohur që e drogon dhe kështu e rrëmbejnë dhe e nisin me aeroplan për në Buones Aires. Gjatë udhëtimit Guia zgjohet e kundërvepron për këtë akt piraterie ndaj tij, po mbetet gojëhapur kur i tregojnë kontratën që e kishte firmosur siç duket gjysmë i dehur. Kështu, dashur padashur ai mbetet në Argjentinë ku i mahnit spektatorët. Megjithatë publiku brazilian ia fal Domingos, sepse marroset pas lojës së tij zbavitëse. Mbrojtësi shtatlartë arrin të fitojë titullin kampion në Argjentinë dhe qëndroi aty dy vite, pasi kishte firmosur kontratën në gjendje të dehur dhe më pas rikthehet te Flamengo. Është cilësuar si mbrojtësi më i mirë në historinë e Flamengos dhe Korinthiasit. Një nga pesë fëmijët e tij u bë futbollist. Ademir de Guia, që në futboll do të njihet me emrin Ademir Menezes ishte golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës 1950. Megjithatë, ai u persekutua disi nga fama më e madhe që kishte i ati, duke mbetur gjithnjë djali i Domingos Da Gulës.
Portieri Oliveri, “macja me
kthetra të mprehta”
Ka lindur në Verona më 1910-ën. Pas Veronës kalon te Padova. Këtu nuk shquhet shumë. Mbase ndikon edhe një incident gjatë një ndeshje. Shërohet mbas 40 ditësh dhe kalon me Dukezen, skuadër që luante në Kategorinë e Parë. Kjo ndodh në vitet 1936-1938. Janë vitet e pjekurisë së tij si portier, që e shpien në radhët e skuadrës së Pocos. Këtu shquhet veç të tjerash edhe për zhytjet në këmbët e kundërshtarit për të zotëruar topin. Pas kampionatit botëror luan me Torinon (1936-41). Gjatë kombëtares regjistron 24 ndeshje. Detyrohet t’ua lërë vendin më të rinjve, teksa vetë kalon me Breshian, skuadër e Kategorisë së Dytë. Pastaj ndërmerr edhe detyrën e trajnerit, por duke qenë shumë larg suksesit të tij në portë, që e bën aq të njohur në botë.
Rezultatet
Raundi i Parë
Itali–Norvegji 2-1
Zvicra–Gjermani 1–1
Franca–Belgjika 3–1
Hungari–Inditë Holandeze 6–0
Brazil–Poloni 6–5
Kuba–Rumania 3–3
Zvicra–Gjermani 4–2 (ndeshje II)
Kuba–Rumani 2–1 (ndeshje II)
Çerekfinale
Itali–Francë 3–1
Hungari–Zvicër 2–0
Suedi–Kubë 8–0
Brazil–Çekosllovaki 1–1
Brazil–Çekosllovaki 2–1 (ndeshje II)
Gjysmëfinale
Hungari–Suedi 5-1
Itali–Brazil 2-1
Për vendin 3-të
Brazil–Suedi 4–2
Finalja
Itali–Hungari 4–2
Shënues: Kolausi 6’, 35’, Piola 16’, 82’ / Titkos 8’, Sarosi 70’
Italia: Oliveri, Foni, Rava, Serantoni, Andredo, Lakateli, Biavati, Meaca, Piola, Ferrari, Kolausi
Trajner: Viktorio Poco
Hungaria: Sabo, Polger, Biro, Solai, Suks, Lazar, Sas, Vinceze, Sarosi, Sengeler, Titkos
Trajner: Alfred Shafer
Gjyqtar: Kapëvil (Francë)
Formacioni më i mirë i Botërorit
Oliveri (Itali), Domingos (Brazil), Andreolo (Itali), Rava (Itali), Serantoni (Itali), Lokateli (Itali), Meaca (Itali), Sharoshi (Hungari), Biavati (Itali), Piola (Itali), Leondas (Brazil).
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili