Francë, dëbohen 70 romë nga kampi në Evry
Policia e Francës sot i ka dëbuar afro 70 vetë nga një kamp i romëve, në valën e fundit të dëbimeve kundër këtij minoriteti, që janë kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut.
Duke vepruar sipas dekretit komunal, policia në qytetin Evry, në jug të Parisit, herët në mëngjes e demontoi kampin e improvizuar.
Pamjet televizive tregonin familjet, së bashku me fëmijë të vegjël, që të ngarkuar me gjërat e tyre largoheshin nga kampi.
Ministri i brendshëm, Manuel Valls, i mbrojti këto dëbime, duke cituar shkaqe të sigurisë dhe ato sanitare.
Është e paqartë se ku do të shkojnë romët e dëbuar. Afro 15 mijë romë etnikë aktualisht jetojnë në kampe të ngjashme në mbarë Francën dhe prania e tyre, që nxit armiqësi nga shumë banorë lokalë, është shndërruar në problem politik për socialistët në qeveri.