E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, protesta të dhunshme në Paris

Paris -Paris është përballur sërish me protesta natën e shkuar, ku qindra studentë francezë sulmuan forcat e policisë me shishe dhe me sende të forta dhe thyen dritaret e disa dyqaneve në Paris. Ata protestojnë kundër reformave të qeverisë, para se të organizonin një protestë mbarë kombëtare, deklaroi sot policia franceze. Katër persona u arrestuan gjatë protestës së studentëve, që nisi dje pasdite në universitetin Tolbiac, në pjesën jugore të Parisit, dhe përshkuan gjithë distancën deri në Barbes, zonë në pjesën veriore të kryeqytetit, pranë qendrës turistike Montmartre.

"Përgjatë rrugës protestuesit dëmtuan shumë prona private. Dritaret dhe kangjellat e një numri të konsiderueshëm dyqanesh janë dëmtuar dhe shkatërruar. Protestuesit kanë hedhur shishe dhe sende të forta dhe në drejtim të trupave të sigurisë, por nuk pati reagime nga policia apo përleshje me studentët", deklaroi një zëdhënës i policisë.

Universitetet franceze janë përfshirë nga një seri protestash, grevash, bojkotesh dhe bllokim të mjediseve mësimore si nga studentët edhe nga lektorët për disa muaj me radhë për shkak të disa reformave të shumëpërfolura të ndërmarra nga qeveria.

Sindikatat kanë lajmëruar se nesër do të zhvillojnë një protestë mbarëkombëtare në të gjitha sektorët dhe po planifikojnë protesta në të gjithë Francën kundër politikave ekonomike të presidentit Nicolas Sarkozy.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›