Francezët sjellin në Berat "Një mbi një tinguj"

Më 6 dhe 7 gusht, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Beratit mbahet festivali i parë muzikor "Një mbi një tinguj", ku marrin pjesë rreth 40 muzikantë francezë. Luajnë muzikë klasike, kontemporane dhe shqiptare. I ftuari kryesor është kuarteti i klarinetave "Appassionati" dhe Ansambli Orkestral Marcillac.
Nata e parë hapet me klarinetistët e "Appasionatti" që interpretojnë pjesë nga Mozart, Brahms, Piazzolla, Albinoni dhe muzikë klezmer. Pjesë e kuartetit janë: muzikanti shqiptar Genti Dollani (drejtori artistik i festivalit) dhe muzikantët francezë Matthieu Luçon, Aurélien Cesscousse dhe Gilles Vernet. "Appassionati" ka në repertor muzikë klasike, muzikë nga Evropa Perëndimore, Afrika e Jugut, muzikë Klezmer dhe Jazz.
Kurse Ansambli Orkestral Francez Marcillac (Marsijak) interpreton pjesë nga Puchedu, Morricone, Ray Charles, muzikë klezmer, si dhe muzikë shqiptare. Qysh prej vitit 2003, ansambli drejtohet nga muzikanti shqiptar Genti Dollani.
Ai ka publikuar vitin e kaluar albumin "Avanti", ku përfshihen edhe pjesë nga folklori shqiptar.
I ftuari te "Një mbi një tinguj" është edhe klarinetisti kosovar Blerim Emerllahu.