E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqkuptim në Mathauzen

Në monumentin shqiptar në kampin e shfarosjes së hebrenjve në Mathausen, ndodh që vizitorët të vendosin lule në duart e gjermanit të dorëzuar, duke "keqkuptuar" veprën e realizuar më 1968.


Kontributi i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve po fiton vitet e fundit vëmendjen ndërkombëtare. Mos ka ardhur koha të reflektohet edhe mbi këtë objekt që qëndron si paradoks në mesin e monumenteve nga bota?

Në vitin 1981 gjatë kohës së specializimit tim në Vjenë kërkova të shikoja përveç të tjerave edhe muzetë, operën dhe Mathauzenin. Prej asaj kohe e deri tani, nuk e kam parë më Mathausenin. Kujtimet e dikurshme m'u zgjuan nga Shpend Topollai, përmes një shkrimi të kohëve të fundit, për këtë kamp nazist në gazetën "Shpiragu" (Qershor 2010). Tregimi i tij ishte shumë interesant.


Një shqiptar i vetëm, pa njeri, i internuar në Mathauzen kishte dhënë jetën për një polak që kishte familje dhe fëmijë, në ndeshjet gladiatore për jetë a vdekje që organizonin nazistët. Djali i polakut të mbijetuar, tani i moshuar vinte lule në monumentin tonë, në kujtim të atij shqiptari të panjohur që të atit i kishte dhuruar një jetë të dytë. Shumë prekëse.


Gjatë kohës së qëndrimit tim në Vjenë, një pasdite u nisëm në Mathausen afër fshatit me të njëjtin emër, 20 km, në lindje të qytetit Linz. Ai ishte ndërtuar në vitin 1940 në një vend të fshehur, buzë një lumi. Në kohën që e kam vizituar, kampi ishte rrethuar nga përkujtimore veprash artistike, të derdhura në bronz apo obeliskë, mjaft kuptimplotë për atë çka kish ndodhur mbi qenien njerëzore.


Duke e krahasuar monumentin tonë me atë të hungarezëve, izraelitëve, dhe veçanërisht të rusëve apo të gjithë të tjerët, monumenti ynë dukej se nuk kishte lidhje me atë vend ku nazistët kishin torturuar, vrarë e masakruar me metodat më barbare njeriun, pa marrë parasysh se cilin komb përfaqësonte.


Asokohe isha më tepër se i bindur se ajo që shihja nuk jepte mesazhin e duhur. Për këtë bisedova edhe me njerëzit e ambasadës, të cilët në heshtje ndoshta ndanin të njëjtin mendim me mua: Kështu e kemi gjetur dhe nuk mund të flitet për ta ndryshuar më thanë ata.


Monumenti ynë në Mathauzen, i fitores mbi nazizmin, i përket vitit 1968 dhe mban firmën e të madhit Odise Paskali. Kisha dëgjuar për këtë monument, ndoshta rastësia e kish dashur, në vitin 1969 një banor i afërt i lagjes sime, Llazar Mazniku, vëllai i shokut tim të fëmijërisë u nis në Vjenë për të vendosur monumentin.


Datat e realizimit të veprës me kohën e vendosjes të japin përshtypjen e porosisë. Kur shkova në Mathauzen pas 12 vitesh imagjinata ime për veprën e panjohur deri tani u tjetërsua. Ushtari gjerman i është nënshtruar fitimtarit, një luftëtari të rezistencës shqiptare me krahë të fortë.


Gjermani është bërë i dallueshëm edhe nga rripi me zvastikën (kryqin e thyer) por çuditërisht vizitorët mbeten konfuz dhe shpesh mund të gjesh lule në krahun e ushtarit gjerman. Krijova bindjen se efekti i kësaj skulpture ishte i kundërt me atë që kemi kërkuar. Në figurë shikohen edhe lule të vendosura në krahët e gjermanit. (Shiko foton nr. 1)
Mathauzeni u çlirua më 5 maj 1945.


Ushtarët amerikanë kanë qenë të parët të cilët ekspozuan para publikut të botës tablonë e tmerreve që jetoi njerëzimi në këto geto internimi. Ky vend sot ruhet si vend i memories botërore kundër krimeve naziste të Luftës së Dytë Botërore.


Si mund të shprehemi më mire për këtë vend, ku dhimbja e ringjallja kanë tjetër formë, të një dedikimi apo dhe falënderimi për ata që dhanë shpirt me zor në këtë vend? A duhet bërë një konkurs për atë çfarë duhet të na përfaqësojë në Mathauzen? Unë mendoj se po.


Pa dashur të ndez mendime konservatore, pa i munguar respekt autorit të ndjerë të kësaj vepre, simbolika shqiptare e Mathauzenit duhet të jetë një mënyrë reflektimi. Vetëm kështu i bëhet nderi të rënëve dhe luftës së një populli, që kurrë s'mund të mohohet.


Monumenti francez.


Ky obelisk me mure përreth është ndërtuar i pari në këtë vend, në vitin 1949 dhe është në formën e një sarkofagu me një shkrim latinisht mjaft kuptimplotë: "Të gjallët mund të mësojnë nga fati i të vdekurve."


Monumenti izraelit


Ky monument është ndërtuar në vitin 1976. Në bregun e një rrokullime ku gjermanët shtynin drejt vdekjes njerëzit e dobët gjatë transportit të gurëve. Ai është strukturuar bukur. Është një memorial modern në formën e një peme, që flet gjithçka, mbijetesën, mosharresën dhe rilindjen e vërtetë nga vuajtjet mbi këto gjurmë që kurrë s'mund të flenë.


Monumenti hungarez


Në një vend të dallueshëm ngrenë duart nga qielli një grup njerëzish që u kanë ngelur kockat, lëkura dhe zhelet, kulmi i shkrirjes njerëzore dhe i shpërfytyrimit. Grushtet dhe gjunjët ata i kanë të mëdhenj e përsëri të fortë për të treguar sesa i qëndrueshëm është njeriu.


Monumenti Rus


Një nga viktimat ruse ne Mathauzen është edhe gjenerali Lejtnant 64-vjecar, i carit dhe i Stalinit, Dimitri Mihajllovic Karbishev. Ai u gjykua në shkurt në kohën e një acari të madh, u zhvesh dhe u lag gjatë gjykimit me ujë dhe ngriu në këmbë si një bllok akulli. Karbishevi u bë legjendë.


Në këtë monument mermeri, në dukje i akullt shikohen sytë, një mjekër e dalë, dy duart e kryqëzuara, anësitë e poshtme, këmbët e zbathura. Një vdekje e veçantë me plotë jetë dhe qëndrueshmëri. Pjesët e dukshme janë akull, brymë dhe tmerr. Skulptori, një djalë i ri moskovit, ka thënë gjithçka në mënyrë të thjeshtë por rrëqethëse.


Diçiturat:


Figura nr. 1 Monumenti i fitores 1968. O. Paskali
Figura nr. 2 Memoriali izraelit 1976
Figura nr. 3 Monumenti Hungarez
Figura nr. 4 Monumenti Rus në Mathauzen


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›