E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objekti i llahtarit

Historia e rrallë e një objekti, një sharrë e përdorur për operacione kirurgjikale në spitalet partizane


Dikur, në Muzeun e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, që ndodhej tek rruga e "Barrikadave", pikërisht atje ku sot është një farmaci, ka qenë e ekspozuar një sharrë druvari, nga ato "Hajde dru me pre!", që sot nuk i shikon më, por fare të përfytyrueshme nga brezat e përpara njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetës, me lamë të dhëmbëzuar dhe me një sistem drunjsh e spangosh që tendosnin lamën, primitive si edhe paraardhëset e saj.


Në etiketën shpjeguese të vitrinës shkruhej se kjo sharrë, por edhe ndonjë tjetër e ekspozuar po aty, ishin përdorur gjatë operacioneve kirurgjikale për prerje gjymtyrësh, duar e këmbë. Këtu përfytyrimi të çon, së paku, në ulërimat e shekullit të nëntëmbëdhjetë.


Ishte viti 1980-1981 kur në laboratorin tonë, që po punonte për përgatitjen e eksponateve që do të paraqiteshin në Muzeun Historik Kombëtar, u erdhi radha për restaurim objekteve të përdorura në spitalet partizane. Si për në kohë lufte, më të shumtat ishin ato të kirurgjisë.


Të gjitha të ndryshkura, aq sa herë-herë të lindte dyshimi nëse kishin qenë ndonjëherë të kromuara apo të veshura me nikel. Deri këtu kishte arritur puna? A i përgjigjeshin barbarisë së luftës barbaritë e spitaleve të ndryshkur? Apo kjo ndryshkje ishte pasojë e ekspozimit në mjediset e papërshtatshme të muzeumit? Realiteti i faktit historik nuk të lë të fantazosh.


Duhej gjetur e vërteta e zhdukur në dhjetëvjeçarë për të cilën nuk kujtohej më njeri dhe kur në arkiva apo në kujtime të botuara nuk gjendej asnjë dokument, qoftë edhe diçka e vogël që do të na orientonte në punën restauruese. Duhej të bëja diçka për të shkuar në atë kohë. E kush më mirë sesa personazhet e saj do të mund ta ndriçonte më mirë epokën?


Takova Ibrahim Dervishin, ish gjeneralin e shëndetësisë dhe në atë kohë drejtor i Poliklinikës Qendrore. Thonin se ishte i rreptë. Madje më kujtohej kur na erdhi një herë në zbor në Kavajë dhe e bëri të fliste mëk-mëk komandantin e repartit që na ngrinte në pesë të mëngjesit për të rregulluar mullarët e barit. Më priti mirë, ndonëse në fillim në dukje me një indiferentizëm të ftohtë, që iu kthye menjëherë në kureshtje. Më këshilloi të bisedoja me Ministrin e Shëndetësisë.


Takova sekretaren. Më tha se ministri, Llambi Ziçishti, ishte shumë i zënë dhe se zor se do të më priste. I shpjegova rastin. Po dëgjonte për herë të parë një habi të tillë. Hyri në kabinet dhe doli menjëherë. Hajde, më tha.


Ministri më priti shumë mirë dhe tregoi gatishmëri për të më ndihmuar me çfarë të mundte. Sa për të vërtetën e kirurgjisë së spitaleve partizane më sugjeroi të takoja Petro Canin.
I shkova në shtëpi. Biseduam në oborr.


-Dëgjo, më tha, veglat për operacione kirurgjikale kanë qenë fare të rregullta. Ne i merrnim ato nga spitalet italiane me anë të njësiteve guerile ose në rrugë të tjera. Nuk mund të operohet me bisturi të ndryshkura, ndryshe i bën të plagosurit atë që nuk i ka bërë dot plumbi.


Kurse vetë spitali nuk ka qenë gjë. Gjenim ndonjë shtëpi fshati në zonat e thella, që zor se arriheshin nga lufta dhe e përshtasnim për spital. E lyenim me gëlqere çdo dy javë për të shmangur infeksionet. Unë vetë nuk kam operuar. Kisha studiuar dy vjet në Itali për mjekësi dhe pastaj u ktheva për të marrë pjesë në luftë. Bëja rolin e infermierit. Atje ku isha unë, operonin kirurgët italianë.


-Por, i thashë, kam lexuar në revistën "Ylli" për një rast interesant. Ishte një partizan me dorë të gangrenizuar. Duhej prerë. Operacionin e kryen pa narkozë dhe ndërsa i sharronin kockën me një sharrë hekuri, ai shtrëngonte muskujt e të gjithë trupit dhe këndonte për të mos bërtitur.


- Të të presin dorën dhe të këndosh? u habit Petro Cani. Kush e ka shkruar këtë?
- Nuk më kujtohet, i thashë, por sharra është në muzeum.
-Unë -vazhdoi Petroja - kam patur rastin të asistoj në dy prerje gjymtyrësh: një dorë në... dhe dy këmbë.


Ndërsa shtyhej në kujtime të rënda, vija re në fytyrën e tij një tronditje në rritje që nuk mund të përmbahej.


-Ishte koha e operacionit të dimrit. Gjermanët na erdhën fare pranë spitalit. Nuk kishim kohë as për t'u menduar. Morëm të sëmurët me kuaj dhe shkuam në një zonë të sigurtë. Atje organizuam edhe spitalin. Çfarë spitali! Dy dhoma, njëra për të plagosurit dhe tjetra për shërbime mjekësore. Ishte një djalë nga fshatrat e Peshkopisë. I kishin ngrirë të dyja këmbët. Filloi gangrena.


Dhamë e morëm me mjekimet e mundshme, por nuk ishte gjë. Gangrena po përparonte në fillim ngadalë, pastaj më shpejt, duke u ngjitur lart nëpër gjymtyrë. Kishte dhimbje të mëdha, të padurueshme, bërtiste. Erdhi një moment...
"Erdhi një moment, mendova unë, kur mjekësia u dorëzua përpara fuqisë absolute të kalbëzimit."


- Nuk kishim se çfarë të bënim më. Atij djali i rrezikohej jeta. Vendosëm që t'ia prisnim të dyja këmbët. Ishte problem. Të thashë se ikëm me ngut, sa shpëtuam kokën, pa arritur të merrnim me vete instrumentet kirurgjikalë dhe medikamente të tjera, madje as narkozë.


Heshti ca, ndoshta për të sistemuar kujtimet dhe pastaj, vazhdoi.
- Në atë zonë ishim të gjithë bashkë, fshatarë e partizanë, spitali, shtabi ynë dhe përfaqësuesit e shtabit aleat. I thamë, më duket majorit anglez, të na hidhnin narkozë. Pritëm një ditë, pritëm dy. Nuk na hodhën gjë. Atëhere vendosëm që t'ia prisnim këmbët pa anestezi. I thamë atij djalit se çfarë do t'i bënim të nesërmen.
- Po ai? e pyeta Petro Canin.


- Ai? Çfarë të bënte ai! Kishte dhimbje të tmerrshme, vetëm bërtiste. Gjatë natës përgatitëm "sallën e operacionit" dhe veglat.


Mos mendo se kishim instrumente kirurgjikalë. Morëm një biçak nga ata të barinjve dhe e mprehëm mirë e mirë, pastaj e ziem gjithë natën dhe në fund e dezinfektuam me raki.


Mirë se muskujt, po kockën? Gjetëm një sharrë druvari. I mprehëm dhëmbët me limë. Pastaj e pastruam me letër zmeril për t'i hequr të gjithë ndryshkun.


Gjetëm në fshat një gjysmë fuçie prej llamarine, e mbushëm me ujë dhe e vumë në zjarr. Në të futëm gjysmën e sharrës dhe e valuam katër - pesë orë, pastaj valuam gjysmën tjetër.


Në mëngjes atë djalin e çuam në "sallën e operacionit" dhe e lidhëm mbas krevatit me litarë. I dezinfektuam këmbët me raki, pastaj filluam t'i prisnim mishrat me biçak. Ai ulërinte. Erdhi majori anglez. Çfarë po bëni? na pyeti. Ja, shikojeni, i thamë, kemi dy ditë që ju kërkojmë narkozë, por nuk na e hodhët! Majori u zhduk. Atij djalit i ra të fikët nga dhimbjet e tmerrshme. Zbuluam kockat dhe i premë me atë sharrën e druvarit...


Petroja heshti, shtrëngoi muskujt e fytyrës, pa drejt qiellit, u drodh dhe tha:
- Ai nuk ishte operacion, ishte llahtarë!
Edhe tani, mbas tridhjetë e gjashtë vjetëve ndihej i tronditur.
- Shpëtoi. Jeton akoma në një fshat të Peshkopisë. E kam takuar njëherë...

Teksa punonim në laborator u tregoja të tjerëve historinë e llahtarit. U mora vetë me sharrën, duke u munduar ta përafroja me të vërtetën e asaj nate...Nuk e di se përse më lindi dëshira që ta takoja atë njeri, jo për të plotësuar dramën. Ndoshta për keqardhjen që ndjeva. Pyeta, por më kot. Çfarë ndiente shpirti i tij? Mos vallë atë që era rrëmben nëpër gërmadha?


Petro Cani më tregoi realitetin e kirurgjisë së spitaleve partizane. Veglat e operacioneve ishin fare të reja. Ndryshkja që vihej re në to ishte pasojë e lagështisë së muzeut dhe e konditave të tjera të papërshtatshme për konservim. Po t'i lija të ndryshkura do të vulosja një të pavërtetë. Atëhere vendosa të zbatoj teorinë e restaurimit të Çesare-Brandit për objektet muzealë që rikthen funksionin. Të paktën kështu do të ishin më pranë së vërtetës.


Mendova që veshjen me krom dhe nikel ta bëja në Uzinën "Tirana", si e specializuar për prodhimin e mallrave për treg. Dolën... Pastaj shkova tek reparti i galvanizimit i Uzinës Mekanike pranë Kombinatit të Tekstileve "Stalin", ku punonin mjeshtrit më të mirë. Si përfundim, hapa librat dhe e zgjerova më tej fushën e aplikimit të elektrokimisë në laboratorin tonë, edhe në drejtim të veshjes me krom dhe nikel.


I entuziazmuar nga rezultati takova ata të uzinës "Tirana" dhe u transmetova eksperiencën, duke shpresuar se më tej biçikletat dhe karrocat e kalamajve do të vetëtinin si Moto-Guzi i Salës së NSHRAK-ut e nuk do të dallonin nga ato të importit. E huuu! më thanë, ka shumë punë ashtu!


Vërtet që laboratori ynë, tashmë në vartësi të Qendrës për Studimet Albanologjike është shumë i përparuar dhe kjo punë e arritur me këmbëngulje dhe mundim, me dashuri dhe kujdes është shkaku i paraqitjes së denjë në Muzeun Historik Kombëtar të objekteve kirurgjikale të përdorura në spitalet partizane.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›