E Diel, 1 Nëntor 2026

Si merret pension i parakohshëm dhe suplementar

23/08/2011  Intervista/ Flet drejtori i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH, Agron Ahmetaj

Ahmetaj: Pagesa për ish-ushtarakët, personat e përzgjedhur që përfitojnë më shpejt pagesën

Instituti i Sigurimeve Shoqërore përcakton kategoritë e ish-ushtarakëve që përfitojnë pensione të parakohshme dhe suplementare. Por ndërsa pensionet e reja për vjetërsi shërbimi për ish-ushtarakët kanë pasur një ecuri të mirë, rillogaritja e pensioneve ka pasur ritme më të ulëta për shkak të vonesave në ardhjen e dokumentacionit. Në një intervistë drejtori i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH, Agron Ahmetaj, thekson se të gjithë ushtarakët që kanë përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe ata që janë në pension dhe kanë përfituar pension suplementar pleqërie kanë nevojë për konfirmime ose vërtetime. Por ndërkohë, nga struktura e linjës kanë ardhur shumë pak dokumente për këtë kategori. Në këtë intervistë zoti Ahmetaj sqaron edhe mënyrën se si mund të lidhet një pension që nga zgjatja e afatit të kërkesës paraprake e deri në mënyrën se si mund të llogariten vitet e përzgjedhura, apo e gjithë periudha kontributeve.

1. Pak kohë më parë ISSH zgjati periudhën e kërkesës paraprake deri në një vit për aplikuesit për pension. Sa e ka ndryshuar kjo procedurë afatin e lidhjes?

Këshilli administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore më datën 21.10.2008 miratoi rregulloren nr 1 datë 21.10.2008 “Për caktimin dhe administrimin dhe pagesën e pensioneve”. Në këtë rregullore u caktua, kërkesa paraprake për pensionin e pleqërisë të jetë 1 vit. Pra, përfituesi e bën kërkesën për pension një vit para duke dorëzuar dokumentet e mëposhtme:

Dokumentet që kërkohen u vendos që kërkesat paraprake për pensionin e pleqërisë.

I. A. a Kërkesa paraprake për pension pleqërie

1. Për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë, që parashikohen në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, personi i interesuar, fillimisht, 1 vit para se ti lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH), tek inspektori pritës (formulari tip i kërkesës paraprake për pension pleqërie është bashkëlidhur dhe pjesë e kësaj rregulloreje).

2. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni (bashkëlidhur formulari tip).

3. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Kjo kërkesë plotësohet në dy kopje, nga të cilat, kopja e parë shoqëron dosjen e përpiluar sipas pikës 5.5 të këtij kapitulli dhe kopja e dytë i jepet personit.

4. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë:

 Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë personale për vitet e punës (formulari tip bashkëlidhur);

 Certifikatë lindjeje me fotografi;

 Certifikatë martese për kërkueset femra.

 Fotokopje e librezës së punës

 Fotokopje e librezës kontributive

 Fotokopje e çdo dokumenti që vërteton pjesëmarrjen në punë.

 Deklaratë individuale të personit, sipas mendimit të tij për të gjithë karrierën e punës.

Mbi bazën e këtyre dokumenteve drejtoritë rajonale kryejnë verifikimet e mundshme.

2. Sa është afati i rishikimit të një pensioni lidhur me pretendimet që mund të ketë një qytetar për shumën e përfituar?

Afati i rishikimit të pensionit ka disa momente, të cilat është me interes që ti sqarojmë për qytetarët:

1. Kur një përfitues nuk është dakord për masën e pensionit që i është caktuar, paraqitet pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore dhe bën kërkesë, duke ngritur pretendimet e tij dhe duke kërkuar rishikim.

Dega e përfitimeve e shqyrton këtë kërkesë dhe brenda një muaji i kthen përgjigje në lidhje me rishqyrtimin e pensionit, duke dhënë arsyet për shumën që është lidhur, ose në rast të pretendimeve të drejta qytetarit, rishqyrton dosjen.

2. Në qoftë se përfituesi nuk është dakord me përgjigjen e dhënë nga dega e përfitimeve, ai në mbështetje të nenit 86 të ligjit 7703 date 11.05.1993. “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” ka të drejtë të bëjë kërkesë në Komisionin e Ankimimit pranë drejtorisë rajonale ku përfiton pensionin. Ky komision brenda 30 ditëve i kthen përgjigje përfituesit nëse ka të drejtë apo jo.

a) Në qoftë se pas rishqyrtimit komisioni i ankimimit gjykon se përfituesi ka të drejtë, dosja i dërgohet degës së përfitimeve për të bërë rishqyrtimet dhe njëkohësisht njoftohet përfituesi.

b) Në qoftë se pas rishqyrtimit Komision i Ankimimit gjykon se përfituesi nuk ka të drejtë i kthen përgjigje përfituesit, për të vazhduar shkallët e tjera të ankimimit në mbështetje të nenit 86 te ligjit 7703 datë 11.05.1993 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” .

3. Përfituesi me marrjen e përgjigjes negative nga Komisioni i Ankimimit pranë Drejtorisë Rajonale, menjëherë, brenda 30 ditëve ka të drejtë që të bëjë ankimin, pranë Drejtorisë Rajonale ku banon ose Agjencisë ku banon për Komisionin e Ankimimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Komisioni i Ankimimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore brenda 30 ditëve nga ardhja e dosjes nga Drejtoria Rajonale shqyrton kërkesën dhe i kthen përgjigje përfituesit

a. Në qoftë se pas rishqyrtimit Komisioni i Ankimimit gjykon se përfituesi ka të drejtë, dosja i dërgohet degës së përfitimeve për të bërë rishqyrtimet dhe njëkohësisht njoftohet përfituesi.

b. Në qoftë se pas rishqyrtimit Komision i Ankimimit gjykon se përfituesi nuk ka të drejtë i kthen përgjigje përfituesit, për të vazhduar shkallët e tjera të ankimimit në mbështetje të nenit 86 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”. Dhe ky ankimim bëhet në gjykatë.

3. Si llogaritet sot lidhja e përfitimit të pensionit, përmes disa viteve të përzgjedhura, apo përmes gjithë periudhës kontributive?

Sot lidhja e përfitimit të pensionit bëhet në mbështetje të nenit 32 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”.

Masat e pensionit

1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

2. Shuma bazë e pensionit që u jepet gjithë personave të siguruar, duhet të sigurojë të paktën një standard jetese minimal, i indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

3. Shtesa që u jepet personave të punësuar, do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Këshilli i Ministrave indekson çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara në këtë vit.

4. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 viteve të fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël.

Paga neto mesatare e 3 viteve të njëpasnjëshme të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar, indeksohet çdo vit sipas rregullave të indeksimit të bazës së vlerësuar.

Pra, në konceptimin e këtij neni për efekt të llogaritjes së përfitimit merren për bazë edhe pagat në 10 vitet e fundit dhe e baza e vlerësuar për të gjithë karrierën e punës.

4. Si llogaritet periudha kontributive për pension për një qytetar që ka periudhë të asistencës sociale?

Për një person që është në asistencë sociale kjo periudhë i njihet periudhë sigurimi ose vjetërsi në pune, kurse për efekt page për pension merret paga minimale e atij viti që është në asistencë e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Kur vjen momenti për pension këto paga indeksohen me koeficiente në momentin e daljes në pension, të përcaktuar çdo vit me VKM.

5. Po periudha e paguar me pagesë invaliditeti, si llogaritet në pension?

Këtu kemi dy momente.

a. Në qoftë se në momentin e plotësimit të moshës përfituesi është me pension invaliditeti, ai vazhdon të përfitojë këtë pension.

b. Në qoftë se përfituesi në momentin që del në pension nuk është me pension invaliditeti, por ai do të dalë në pension, të gjitha vitet ose periudhën që ka qenë invalid i njihet periudhë sigurime, pra i njihet vjetërsi në punë.

Për efekt page për pension i merret paga mbi të cilën i është llogaritur invaliditeti i indeksuar me koeficientet e indeksimit, të cilët përcaktohen çdo vit me VKM.

6. Si po shkon pagesa për ish-ushtarakët? Cilat janë kategoritë që kanë përfituar më shpejt pagesën?

Mendojmë se rillogaritja për ish-ushtarakët nuk po ecën në ritmin e parashikuar, pasi ka vonesa në ardhjen e dokumentacionit në drejtoritë rajonale të ISSH-së nga strukturat e ndryshme që disponojnë dokumentacionin e kërkuar në zbatim të VKM nr 793 datë 24.09.2010. Po mund të themi se pensionet e reja për vjetërsi shërbimi nuk kanë pengesë dhe janë drejt përfundimit. Janë caktuar rreth 40% e pensioneve suplementare për pensionet e pleqërisë të reja për ata që janë lëvruar para datës 30.06.1991 dhe mendojmë se kjo po ecën mirë. Mendojmë se ka probleme për rillogaritjen e përfitimeve suplementare në mbështetje të nenit 29, për të cilat strukturat përkatëse nuk na janë përgjigjur ndaj dhe dokumentacioni i ardhur në drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore është i papërfillshëm për këtë kategori.

7. Cilat kategori të ish-ushtarakëve kanë nevojë për konfirmime apo vërtetime, dhe cilët jo?

Për konfirmime kanë nevojë të gjithë ushtarakët që kanë përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe ish-ushtarakët që janë në pension dhe kanë përfituar pension suplementar pleqërie. E themi këtë se nga struktura e linjës kanë ardhur shumë pak dokumente ose mund të themi se janë të papërfillshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›