85-vjeçari kërcënon të birin 58 vjeç për konflikte pronësie
23/08/2011 DEVOLL- Një i moshuar, 85 vjeç, banues në fshatin Maçurisht të rrethit Devoll, kishte mundur të kërcënonte djalin e tij 58- vjeçar, madje ky i fundit, duke parë rrezikshmërinë e kërcënimit, është ndalur në polici për të kërkuar ndihmën e saj, sepse pas kërcënimeve që kishte marrë nga i ati, mund të kishte dhe të papritura. Konflikti mes atit dhe birit kishte ndodhur për motive pronësie. Tashmë ndaj të moshuarit Nuri Musai, 85 vjeç, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë sepse, siç sqaruan burimet policore, ndaj tij kishte bërë kallëzim penal në komisariatin e policisë Devoll, shtetasi Pëllumb Musa, 58 vjeç, banues po në fshatin Maçurisht, ku kishte deklaruar se për motive pronësie ishte kanosur nga shtetasi i mësipërm, i cili është edhe babai i tij. Vepra penale që ky shtetas ka konsumuar është ajo e “kanosjes” parashikuar nga neni 84 Kodit Penal, ndërsa materialet e përpiluara i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.