E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet vendbanim prehistorik ne Prespe

Në fshatin Besmisht të Prespës është zbuluar një vendbanim prehistorik, që sipas arkeologëve mund t’i përkas periudhës rreth 5 mijë vjet para Krishtit. Studiuesit e këtyre zbulimeve bënë të njohur se po kryejne  gërmime në një qendër të prodhimit të veglave. Sipas Petrika Leras që drejton palën shqiptare në këtë ekspeditë,  janë zbuluar dy shtresa kulturore. Më e hershmja i përket neolitit të mesëm, rreth 5400 vjet para Krishtit dhe tjetra i përket neolitit të vonë rreth 4800 vjet para Krishtit.

“Janë grumbulluar material të rëndësishme të përdorimit të përditshëm si enë përdorimi, vegla pune prej kocke, prej briri, prej balte. Njëkohësisht janë grumbulluar edhe lloje të ndryshme farash që na bëjnë të kuptojmë gjithë aktivitetin dhe veprimtarinë ekonomike njerëzore të këtyre njerëzve”- tha profesor Lera.

Kërkimet në zonën e Besmishtit janë duke u realizuar nga një ekspeditë arkeologjike shqiptaro franceze. Përfaqësuesi i palës franceze e vlerëson të domosdoshme që për materialet e gjetura të këtë një ambient të posacëm ku të ekspozohen.

“Unë di që që pranë parkut nacional të prespës do të ndërtohet një muze që ka për qellim të ekspozojë resurset turistike të zonës, por i kam propozuar autoriteteve që në mjediset e tij të ketë një sallë ku të pasqyrohen vlerat arkeologjike të zbuluara jo vetëm në Bezmisht, por edhe në vende të tjera të zonës së prespës”- tha professor doktor Zhil Tushe.

Aktualisht një pjesë e objekteve të zbuluara gjatë gërmimeve janë   grumbulluar në një klasë të shkollës 9- vjeçare të Goricës së Madhe, ndërsa një pjesë në Muzeun Arkeologjik në Korçë.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›