Frangaj, vetëm 1.4 milion dollarë të deklaruar në bilancin e vitit 2011. Evazion fiskal?
Shoqëria Promo SHPK, e cila është vënë në qendër të akuzave për monopol në shpërndarjen e reklamave qeveritare, ka deklaruar në bilancin e vitit 2011 një xhiro 141.310.698 lekë, e cila është afërsisht e barabartë me 1.4 milion dollarë. Në bilancin e vitit 2011, sipas ekspertizës kontabël, shoqëria ka një kapital të mbetur rreth 500 milion dollarë. Promo SHPK është pronë e Eduard Frangajt, ortak i vetëm, vëllai i Aleksandër Frangajt.
Raporti i veprimtarisë financiare, i depozituar në QKR, është i shkurtuar dhe pa detaje mbi gjithë urdhërxhirimet që ka kompania, por shihet qartë se shuma marramendëse e xhiruar prej saj tejkalon shumë biznese të mëdha në Shqipëri, që kanë të punësuar qindra punëtorë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka denoncuar deri tani rreth 8 milion dollarë të marrë nga kjo kompani dhe duket se do të jenë dhe gjashtë të tjera në vazhdim.
Përveç ministrive kryesore, kjo kompani dhe të tjera rrotull PD, kanë marrë shume financime nga kompani në varësi të Ministrive siç është KESH, Ujësjellësi i Tiranës, reparte ushtarake, Albpetrol etj.
Shuma e xhiruar zyrtarisht nga Frangaj tregon hapur se kemi të drejtë të dyshojmë fort për evazion fiskal në xhiron e kompanisë. Në bilancin e tij ka detaje, të cilat mund të nxisin hetime për devijime fondesh në adresë të gazetave të tjera, siç është një rast për gazetën Financial Times apo faturime direkte të ministrive për TV-të.
Informacioni që ndërkohë japin ministritë është spekulativ, pasi në to nuk raportohen vitet kur janë dhënë reklamat. Për shembull, në një deklaratë të ministrisë së Olldashit raportoheshin rreth dhjetë gazeta që kishin marrë reklama prej kësaj ministrie, ndërkohë që spekulohej me vitet kur janë dhënë këto reklama.
Për këtë duhet që prokuroria të nisë një hetim serioz jo vetëm për shkelje të rregullave të shpërndarjes së reklamave, por dhe për evazion të mundshëm fiskal apo tanxhente në arkën e partive nga lekët e buxhetit, siç është rasti i Olldashit me RD.
