E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e punëtorëve, “Theos” pa faj

• Prokuroria mbyll pa fajtor hetimin për tragjedinë e vdekjes së dy punëtorëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.Fatos Mahmutaj “Shkeljet e kryera nga shoqëria ‘Theos’ dhe drejtuesi tekniko-ligjor Xhulieta Gjini, nuk janë determinante në ndodhjen e avarisë me pasojat e ardhura prej saj. Megjithatë, duke marrë parasysh të gjitha shkeljet, ekspertët konkludojnë se shkeljet dhe veprimet e inxhinieres Gjini e ngarkojnë atë me përgjegjësi administrative, nuk janë determinante në ardhjen e pasojës, shembjen e ndërtesës dhe vdekjen e dy personave më 20 qershor 2007". Ky konkluzion, i inxhinierëve ekspertë, i ka mjaftuar Prokurorisë së kryeqytetit, në verë të vitit të kaluar, për të pushuar akuzën ndaj Xhulieta Gjinit, administratores dhe kryeinxhinieres së “Theos”. Në fakt, ky dokument ishte “beteja” e parë e fituar nga “Theos” ndaj institucioneve shtetërore. Më parë ishte liruar nga burgu administratorja Gjini, ndërsa pas pushimit të akuzës ndaj inxhinieres, firma rifitoi licencën në Ministrinë e Transporteve dhe më pas në Ministrinë e Punës. Pas kësaj e fundit mbeti vazhdimi i kontratës së punimeve në ambientet e ish-shkollës Teknologjike, çka ishte objekti i padisë që përfundoi dje së gjykuari në kryeqytet, çka i dha fund edhe kërkesave të “Theos”. Hetimi Veprimet hetimore të bëra nga Prokuroria e kryeqytetit, për më tepër edhe një ekspertizë e dytë, e kanë nxjerrë firmën “Theos” pa fajësi në ngjarjen që i kushtoi jetën dy punëtorëve të firmës si dhe u plagosën 6 të tjerë. Për më tepër, sipas ekspertëve, firma pa qenë kërkesë e projektit, ka vendosur puntelimin e ndërtesës, çka është vlerësuar nga Prokuroria si rrethanë favorizuese për firmën. Ndërkohë faji për shembjen i ka mbetur godinës së ndërtuar në vitin 1959 dhe të rikonstruktuar para viteve ’80. Në fillim shkolla ishte ndërtuar me çati, ndërsa gjatë rikonstruksionit në kohën e komunizmit, tjegullat janë zëvendësuar me soletë të parapërgatitur, ndërkohë nuk është bërë mirë lidhja e saj me muret e tullës së ndërtesës si dhe nuk ishte bërë monolitizimi i parafabrikateve. ShkaqetBrezi i ndërtuar jashtë kushteve teknike dhe i pamonolitizuar me soletat e parapërgatitura, nuk mbajti ngarkesat që transmetoi tarraca dhe u shemb duke injoruar të gjitha kalkulimet që mund të jenë bërë nga konstruktori apo zbatuesi, të cilat i pari (konstruktori) i rekomandoi dhe, i dyti zbatoi prishjen e muraturës së tullës sipas shënimeve në projektin teknik. Duke pasur parasysh këto pretendime, Prokuroria ka dalë në konkluzionin se shkaku determinant që ka çuar në shembjen e ndërtesës është shkelja e kushteve teknike të ndërtimit të tarracës në rikonstruksionet e bëra përpara fillimit të punimeve nga “Theos” sh.p.k.  Tragjedia Shembja e një pjese të tre kateve të shkollës Teknologjike gjatë rikonstruksionit mëngjesin e 20 qershorit të vitit të kaluar, solli vdekjen e dy punëtorëve të firmës “Theos” dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Trupat e pajetë të dy punëtorëve u gjetën nën rrënoja pas disa orë kërkimesh, ndërsa të tjerët morën plagë të rënda. Padia  Dy javë pas vdekjes nën rrënoja të 18-vjeçarit Anton Kovaçi, familjarët e tij paditën në Gjykatën e Tiranës firmën “Theos”, ku kërkonin dëmshpërblim për humbjen e djalit. Padia e firmosur nga babai i adoleshentit u regjistrua në sekretari, por pas shortit nuk shqyrtua, ndërsa mendohet se është zgjidhur me kompromis.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›