Atentat në rrugicën qorre te “Mine Peza”, katër plumba 20-vjeçarit
• TIRANE – Një i ri 20-vjeçar mbeti i plagosur mbrëmë pas një atentati në rrugën “Mine Peza”, pranë Prokurorisë së rrethit të Tiranës.Behar Elezaj, rreth 20 vjeç nga Kukësi dhe banues në kryeqytet, është qëlluar tri herë me armë zjarri pistoletë kur ndodhej në thellësi të një blloku pallatesh në rrugën “Mine Peza”, përballë shkollës “Harry Fultz”. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 18:30, kur i dëmtuari ka qenë duke ecur në këmbë në një bllok pallatesh, që ndodhen vetëm 100 metra larg Prokurorisë së Tiranës. Policia nuk bëri deklarata lidhur me shkaqet e ngjarjes, duke thënë se po hetohet intensivisht. Kanë qenë banorët e lagjes ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë gjetur viktimën të palosur në rrugë dhe të mbuluar në gjak. Banorët e kanë nisur viktimën për në spital, ku 20-vjeçari i është nënshtruar një operacioni që zgjati disa orë. Gjendja e tij, sipas burimeve të policisë dhe të Spitalit Ushtarak, është e rëndë e madje edhe në rrezik për jetën. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e atentatit për të nisur hetimet dhe për të sqaruar rrethanat e krimit. Viktima u identifikua në bazë të një dokumenti që mbante me vete. Efektivë të Komisariatit të Policisë nr.3 kanë mbajtur zonën për pak kohë të rrethuar, ndërsa veprimet janë kryer nga specialistët dhe inspektorët e zyrës së hetimit të vrasjeve në Drejtorinë e Tiranës. Janë shoqëruar në polici disa persona, banorë të lagjes që janë gjetur duke lëvizur në rrugë në kohën kur ndodhi krimi. Ata janë pyetur për lëvizjet dhe nëse kishin parë të lëvizte ndonjë person të dyshimtë në momentin e tentativës së vrasjes. Atentati është kryer në një rrugicë të shkurtër mes dy pallateve, ndërsa policia nuk ka konfirmuar nëse krimi është kryer me mjet zhurmëshues apo jo. Mbrëmë policia kishte dyshime ndaj disa personave nga Rubiku, por ende nuk dihet se cili ka qenë pozicioni i tyre në lidhje me ngjarjen. Pranë vendit të krimit ndodhej një dyqan, pronari i së cilës është shprehur i nervozuar kur është pyetur nëse kishte dëgjuar të shtëna. Edhe pse dyqani i tij ndodhej pranë vendit të ngjarjes, ai ka shprehur nervozizëm kur është pyetur nga gazeta nëse kishte dëgjuar zhurmë apo lëvizje të dyshimta. Policia ka vijuar me hetimet gjatë gjithë natës për të zbardhur krimin dhe identifikuar autorët e atentatit ndaj 20-vjeçarit.