Topalli thërret Byronë Parlamentare për grushtet në Kuvend
Në ditët në vijim do të mblidhet Byroja Parlamentare për të vendosur mbi sanksionet që do të merren për incidentin e seancës së fundit parlamentare mes deputetëve demokratë e socialistë dhe Gardës. Megjithëse Kuvendi i ka mbyllur punimet e tij, burime pranë Parlamentit bëjnë me dije se do të mblidhet Byroja Parlamentare për të marrë masa ndaj deputetëve që janë zënë me grushte në seancën e fundit të sesionit të dytë parlamentar. Mbledhja e Byrosë ishte planifikuar për ditën e martë, datë 27 korrik, por për shkak të një aktiviteti të kryeparlamentares Topalli jashtë Shqipërisë, kjo mbledhje është lënë për t’u zhvilluar në ditët në vazhdim. Incidenti ndodhi në seancën e fundit, në kohën kur Kryetarja e Kuvendit po kalonte miratimin e buxhetit nen për nen. Deputetët socialistë, Ilir Beqja, Saimir Tahiri dhe Erion Braçe, janë ngritur në këmbë duke kërkuar nga kryeparlamentarja Topalli të zbatonte rregulloren dhe t’u jepte socialistëve të drejtën e fjalës. Socialistët kërkuan replikë ndaj Kryeministrit Berisha, por janë frenuar përpara tryezës së ministrave nga Garda. Gjatë debatit, deputeti Erion Braçe mbante në dorë një shishe uji dhe është frenuar nga Garda, e cila i ka marrë nga dora shishen e ujit deputetit Braçe. Gjatë kësaj kohe, është afruar deputeti demokrat, Lefter Maliqi, i cili ka goditur nga prapa deputetin Braçe dhe menjëherë aty ka degraduar ‘sherri’ në Kuvend, i cili u pasua nga grushtet. Deputeti socialist i Lezhës, Gjovalin Kadili, gjatë këtij momenti është konfrontuar fizikisht në mënyrë të paqëllimshme me punonjësit e Gardës. Kryetarja e Kuvendit urdhëroi 5 minuta pushim, por pa mundur dot të mbledhë menjëherë Byronë e Parlamentit ka rifilluar seancën pas 20 minutash për të caktuar një ditë tjetër për të dhënë ‘gjykimin kuvendor’ në lidhje me këtë incident.
#