Kërkohej nga Interpoli, vinte në Shqipëri për plazh
Një tjetër shtetas i Kosovës është arrestuar dje në Pikën e Kalimit të Kufirit në Morin të Kukësit. Policia lokale bën të ditur se dje pasdite ka vënë në pranga në Doganën e Morinit një 42-vjeçar nga Kosova, i cili rezulton person i kërkuar nga Interpoli për disa vepra penale. Shtetasi kosovar, Rizvan Shaqiri, nga Skënderaj kërkohej nga policia e Belgjikës për vuajtjen e dënimit me disa vite burg të dhënë nga gjykatat e atjeshme për veprat penale të organizimit të grupeve kriminale, si dhe trafikut të qenieve njerëzore. Shaqiri po udhëtonte nga Kosova në Shqipëri me një mjet tip “Opel” me targa të huaja. Disa ditë më parë, një shtetas i Kosovës nga Gjakova u ndalua në Morin për shkak se ishte shpallur në kërkim nga Interpoli gjerman, ku i akuzuari kishte kryer të paktën tri vepra penale. Sistemi TIMS dhe ASF2 i kontrollit të dokumentacionit i instaluar në Doganën e Morinit ka bërë që kohët e fundit një numër personash në kërkim të zbulohen si të tillë dhe të vihen në prangat e policisë.
#