E Diel, 1 Nëntor 2026

“Franku V”, gati premiera në Teatrin Kombëtar



Më 10-13 prill të gjithë do të kenë mundësinë të ndjekin në Teatrin Kombëtar në Tiranë tragji-komedinë muzikore “Franku V” të autorit Dyrrenmat. Siç kemi bërë të ditur dhe më parë, kjo pjesë vjen nën regjinë e Arben Kumbaros dhe interpretimin e artistëve më të mirë të Teatrit Kombëtar si Fatos Sela, Luiza Xhuvani, Neritan Licaj, Bujar Asqeriu, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Vangjel Toçe, Saimir Braho, Olta Dako, Marko Bitraku, Sokol Angjeli, etj. Skenografia është përgatitur nga Genc Shkodrani, kostumografia nga Anila Zajmi, kompozimi nga Endri Sina, koreografia nga Gjergj Prevazi dhe si drejtues orkestre, Marian Deda. Përsa i përet pjesës “Franku V”, ajo është cilësuar nga kritika botërore si varianti modern i “Rikardit III” dhe përpjekje alternative e veprës së Brehtit “Opera për tre groshë”. Te Brehti gangsterët janë borgjezë, ndërsa te Durrenmat borgjezët janë gansterë. Kritikë të ndryshëm e kanë cilësuar këtë vepër si komedi-muzikore, tragji-komedi, tragjedi-groteske apo edhe grotesk–kriminal. Autori Dyrrenmat, si një nga kolosët e dramaturgjisë moderne gjermanofone të shekullit XX, e rimori këtë temë me synimin për të reflektuar ndryshimet sociale që kishin ndodhur në Europën e pas Luftës II Botërore. Organizatorët kanë theksuar edhe gjatë konferencës për shtyp të dhënë më parë, se premiera “Franku V” është ndërsfidat më të rëndësishme e më të vështira për nga komponentët e realizimit. Në këtë sipërmarrje, Teatri Kombëtar ka angazhuar të gjitha potencialet e tij më të mira artistike për një realizim sa më të suksesshëm.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›