E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Little Big Man” - Kofi Annan mbush 70 vjeç



Për shumë ai është “Mr.United Nations” pa diskutim, edhe pse prej më shumë një viti nuk është më Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Kofi Annan ka mbushur dje 70 vjeç dhe është përsëri aktiv në politikën ndërkombëtare. “Na lini ta fillojmë procesin e shërimit në frymën e marrëveshjeve të sotme. Të gjitha bisedimet e suksesshme bazohen në dhënie dhe marrje. Gjithmonë në të dyja palët disa do ta kenë gjithmonë ndjenjën, se drejtuesit e tyre ishin shumë të gatshëm për kompromis. Gatishmëria për kompromis ishte e domosdoshme për mbijetimin e këtij vendi. U bëj thirrje të gjithëve, që ta mbështesin këtë marrëveshje, sepse është çelësi i unitetit të Kenias.” Kështu e njeh bota ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Annan. Një ndërmjetësues i qetë, i ekuilibruar, diplomat i zoti. Edhe me 28 shkurt, kur bëri të ditur, se palët e përçara në Kenia kishin arritur të merreshin vesh. Pas gjakderdhjes në dhjetor të vitit të kaluar vendi ndodhej pak para luftës civile. Vetëm ndërmjetësimi i Kofi Annanit bashkoi qeverinë dhe opozitën. Sekretari i ri i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon shprehu këtë konsideratë: “Roli i tij nuk i ka sjellë vetëm Kenias paqe dhe stabilitet, por të gjithë rajonit. Ai ka dëshmuar edhe një herë stilin e tij të shkëlqyer prej drejtuesi dhe me iniciativën e tij ka kapërcyer një potencial shumë të madh rreziku.” Dhe megjithëse Kofi Annan që prej 1 janarit 2007 është në pension, ai është shpesh në skenën e politikës ndërkombëtare, psh. për zhvillimin e Afrikës. “Pa një bujqësi të fortë nuk mund t´i nxjerrim kombet tona nga varfëria. Ne duhet t´i forcojmë fshatarët tanë, në radhë të parë gratë që bëjnë më të shumtën e punëve në bujqësi, që të bëhen më produktivë. Në kontinetin tonë ndodhen 16 nga 18 vendet më të paushqyera të botës. Kështu nuk bën.” Diplomati i lindur në Gana nuk lufton vetëm si kryetar i aleancës të sapokrijuar për një revolucion të gjelbërt në Afrikë, AGRA. Si sekretari i ri i Përgjithshëm i OKB-së, në prill të 1997, pat’ tërhequr vëmendjen me fjalën e tij, kur u kërkoi udhëheqësve të shteteve afrikane, që të bënin politikë për zhvillimin e masës së popullsisë, në vend që ta shpjegonin mizerjen e kontinentit me të kaluarën koloniale. Afrika pa dyshim që ka përfituar që me Kofi Annanin, pasi, për herë të parë një afrikan nga një vend në jug të Saharës pati postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Si konkluzion duhet thënë, se Kofi Annan, në 10 vjetët si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së ka arritur shumë, në rradhë të parë me integritetin e tij personal ai ka përmirësuar imazhin si jashtë ashtu edhe brenda. Eshtë legjitime që Kofi Annan, pas mandatit të tij të parë në dhjetor 2001 mori çmimin e 100-të nobel të paqes në Oslo. Kryetari i komitetit të çmimit Nobel, Gunnar Berge e argumentoi kështu: “Kombet e Bashkuara vazhdojnë të jenë mjeti më i efektshëm për të çuar para paqen dhe të drejtat e njeriut. Dhe Kofi Annan si përfaqësues i shkëlqyer i OKB-së është ndoshta Sekretari i Përgjithsëm më efektiv në historinë e OKB-së. Dhe kjo është një mënyrë e mirë për të nderuar 100-vjetorin e çmimit nobel për paqen.”
(D.W)

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›