E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet debati për Falliç, Braçe: Nuk tërhiqemi nga mocioni

 

Socialistët shprehen të vendosur në realizmin e mocionit me debat me kryeministrin për çështjen e biznesmenit Damir Fazlliç. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, akuzoi Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për shkelje të procedurave në lidhje me kërkesën e paraqitur nga socialistët për zhvillimin e mocionit me debat. "Kërkesa e PS-së për debatin me Kryeministrin Berisha është paraqitur në datën 8 tetor. Kanë kaluar 20 ditë dhe ende nuk është përcaktuar se kur do të zhvillohet debati me kryeministrin. Unë nuk e di zonja kryetare se si autoriteti juaj del mbi atë të kryeministrit, në një kohë që vetë kreu i qeverisë ka shprehur gatishmërinë e tij për zhvillimin e këtij mocioni me debat", deklaroi Braçe. Sipas tij, "në Parlament nuk ka ndodhur ajo që parashikon rregullorja në nenin 98. Berisha na u betua se do të ishte seanca më transparente për dosjen e krimit, por prej asaj dite Berisha nuk është dukur më, përkundrazi është fshehur". "Berisha është shumë i përfshirë në këtë çështje dhe ne e duam në debat. Ai duhet të vijë të tregojë përgjegjësinë e tij", theksoi Braçe. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Topalli, hodhi poshtë qëndrimin e Braçes se është shkelur Rregullorja e Kuvendit. "Të jeni të sigurt se mocioni me debat do të bëhet brenda 30 ditëve, askush nuk del mbi ligjin. Të jeni të sigurt se rregullorja do të zbatohet pikë për pikë", deklaroi Topalli. Ndërsa deputeti i PS-së, Stefan Çipa, e cilësoi si skandaloze zhvillimin e mbledhjes së ministrave, ku i pranishëm ka qenë biznesmeni Damir Fazlliç, ku temë e bisedimeve ka qenë siguria e kufijve. Për këtë ka reaguar ministri Olldashi, i cili ka theksuar se "bisedimet janë kryer me këshilltarin Tom Rixh për çështjen që shpejtojnë hapat për integrimin në NATO". "Ju kujtoni se jeni akoma në kohën e traktatit të Varshavës, prandaj vazhdoni të mbani të njëjtin qëndrim ende e kësaj dite për integrimin e NATO. Mos akuzoni kot pa dhënë vendim gjykata, se edhe ti Stefan dikur je akuzuar për falsifikim parash, por dole i pafajshëm në '96-ën dhe tani je deputet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›