PS: Ligjet e Berishës antikushtetuese
Partia Socialiste denoncoi paketën e reformës në drejtësi si anti-kushtetuese. Kryetarit i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani përmes një konference për shtyp në selinë e PS ku shprehu shqetësimin se projektligjet e qeverisë ne kuadër të reformës në drejtësi, cenojnë autonominë e këtij sistemi. "Qeveria e Sali Berishës ka hartuar një numër projektligjesh anti-shtet, anti reformë e anti-demokraci ndaj drejtësisë në këtë vend. Projektligji për Administratën Gjyqësore, Projektligji për Noterinë, Projektligji për Avokatinë, Projektligji për Përmbarimin, dhe Projektligji për Prokurorinë (që vazhdon të jetë sekret shtetëror), janë nismat më të errëta që ka njohur sistemi i drejtësisë që nga koha e komunizmit", tha Manjani. Sipas PS, veprimet e Berishës justifikohen dukshëm. "Tashmë për ccdo shqiptar është e qartë se Sali Berisha ka vetëm një hall: Si të mbrohet nga akuzat që i vijnë nga Drejtësia. Kryeministri ka zgjedhur të marrë peng shtetin ligjor, edhe këto pak muaj që kanë ngelur, dhe me këtë shtet të marrë peng të sulmojë drejtësinë", tha mes të tjerash Manjani.