E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i 550 mijë eurove të Fazlliç

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria zbulon veprime të dyshimta në transaksionin e biznesmenit Damir Fazlliç gjatë shitjes së kompanisë së tij "Crown Acquisition", me qendër në Shqipëri deri në vitin 2007. Sipërmarrësi boshnjak, i cili e shiti kompaninë e tij te firma "Altaria Research lid" me qendër në Qipro, ka vepruar jashtë kanaleve bankare për një pjesë të mirë të çmimit të vendosur. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se raporti bankar për këtë transaksion ka mbërritur në organin e akuzës. Sipas materialit të mbërritur nga banka ku është depozituar shuma me të cilën u ble kompania e 33-vjeçarit, Damir Fazlliç, rreth 550 mijë euro nga vlera totale prej 1.7 milion euro janë derdhur kesh duke shmangur rrugët bankare dhe monitorimin e origjinës së parave të qarkulluara. "Në veprimet objekt hetimi, sipas të dhënave të mbërritura nga banka në të cilën është kryer transaksioni, rezulton se një pjesë e pagesës prej 1.7 milionë euro me të cilën u ble kompania ""Croën Acquisition" është depozitar në rrugë bankare, kurse pjesa tjetër, rreth 30 për qind e shumës është hedhur kesh në llogarinë marrëse", thanë burimet nga organi qendror i akuzës. Sipas tyre, pak ditë më parë prokuroria iu drejtua të gjitha bankave të nivelit të dytë, me një kërkesë për marrje informacioni lidhur me llogaritë e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, i cili po hetohet me dyshimet për "pastrim të produkteve të ardhura nga krimi". Ditët e fundit bankat kanë kthyer përgjigjet e tyre në rrugë zyrtare nga të cilat organi i akuzës ka verifikuar me kujdes raportin që bën fjalë për shitjen e kompanisë "Crown Acquisition", pronë e 33-vjeçarit Fazlliç deri në vitin 2007. Në raportin e marrë nga banka e nivelit të dytë, është pasqyruar se 30 për qind e shumës prej 1.7 milion euro u depozitua në llogarinë ku është hedhur pagesa për blerjen e shoqërisë "Crown Acquisition". Nga kjo shumë, sipas raportit të bankës, 70 për qind e saj u derdh nga llogaria bankare e subjektit blerës "Altaria Research lid" me qendër në Qipro ndërsa 30 për qind e shumës, ose 550 mijë euro, është derdhur në kesh nga juristja që zotëronte prokurën e posaçme për realizimin e kësaj procedure. Prokuroria tha se tani për tani ka vetëm dyshime pasi Njësia task Force është duke hetuar mbi origjinën e shumës prej 550 mijë euro. "Do të merren në pyetje të gjithë personat në dijeni, të cilët kanë marrë pjesë në këto veprime", thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, edhe vetë banka e ka cilësuar transaksion të dyshimtë depozitimin e 550 mijë eurove në llogarinë bankare ku u vendos shuma për të cilën është shitur kompania "Crown Acquisition". Kjo ishte vetëm njëra nga katër firmat që Damir Fazlliç regjistroi në Tiranë pas shtatorit të vitit 2005. Katër kompanitë në emër të tij zotëronin në momentin e regjistrimit një kapital prej 4 mijë euro të ndarë nga një mijë euro secila. Dy vite më vonë, në kohën kur subjekti "Croën Acquisition", nuk kishte raportuar në tatime asnjë aktivitet dhe asnjë fitim, vlera e saj shkoi në 1.7 milionë euro me të cilën ky subjekt iu shit kompanisë "Altaria Research lid" me qendër në Qipro. Veprime të tilla të kryera nga Damir Fazlliç janë konsideruar të dyshimta nga Prokuroria e cila hapi hetimet dhe po verifikon për "pastrim parash".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›