E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, bllof me imunitetet

 

Aristir Lumezi

Imuniteti i "ri" i deputetit mbetet i pacenuar. Marrja si i pandehur i deputetit votohet nga kuvendit. Nënkryetari socialist i Kuvendit, Ylli Bufi njëkohësisht i mandatuari i Konferencës së Kryetarëve bashkë me demokratin Ilir Rusmali për ligjin e kufizimit të mandateve, sqaroi dje pikat që prekin këto ndryshime. Por në thelb ky ndryshim është një bllof i cili nuk sjell asgjë të re. Me amendimin e nenit 73 të Kushtetutës, synohet ti hapet rrugë prokurorisë të hetojë për deputetin pa kërkuar miratimin e kuvendit. "Fjala është që deputeti në momenti kur procedohet të fillojë hetim i ndaj tij pa nevojën e një autorizimi paraprak. Autorizimin, kuvendi e jep vetëm për aktet që kanë të bëjnë me cenimin e lirisë personale, arrestimi, mbikqyrja, kontrolli banesës, i zyrës etj", tha Bufi. Nga ky shpjegim sqarohet qartë se drafti që po përgatitet nga dy partitë, PD-PS për kufizimin e imunitetit, nuk sjell asgjë të re sa i takon përgjimit, kontrollit apo dhe arrestimit të tij. Duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale, duket qartë se dispozitat e tij në lidhje me procedurat e Kontrollit, përgjimit dhe arrestimit të deputetit kryhen vetëm me autorizimin e Kuvendit.   Pika 1 e nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale përcakton se "Deri në dhënien e autorizimit për të proceduar, nuk lejohet ndalimi, caktimi i masave të sigurimit, kontrollimet, këqyrja e personit, njohja, ballafaqimi dhe përgjimi i bisedimeve ose i komunikimit ndaj personit ndaj të cilit kërkohet autorizimi. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse e kërkon vetë". Por ato që ndryshojnë në draftin që po përgatitet ka të bëjë me një qëndrim të tij pa imunitet në fazën e parë të një hetimi sipërfaqësor, i cili kur të kërkojë më shumë fakte dhe prova, do duhet të merret sërish autorizimi i Kuvendit përmes votimit të fshehtë.
Sipas deputetit socialist, këto amendime vecc të tjerave, synojnë që deputeti i cili ka një proces në organin e akuzës, të gëzojë lirinë personale deri në vendimin e gjykatës, e cila do ta cilësojë atë të pandehur ose jo. "Ideja nuk është të mbajmë këtë imunitet që është, apo ta heqim atë. Ideja është të vendosim një standard të ri dhe standarti është ka imunitet dhe do të vazhdojë të ketë imunitet për atë që quhet liria personale e të zgjedhurit, ose ajo që ka të bëjë me kryerjen e funksionit të deputetit. Kjo është ajo pjesë e imunitetit parlamentar që mbetet që nuk ndryshon. Sepse lihet në ushtrimin e funksionit të deputetit apo të një përfaqësuesi tjetër të sistemit gjyqësor. Ajo që ndryshon është dhënia e autorizimeve nga Kuvendi për procedimin penal. Kjo është një hallkë që në shumë vende të tjera është abroguar. Pra deputeti si gjithë të tjerët mund të hetohet, mund të bëhet procedim ndaj tij por nuk mund të cenohet ajo që quhet liria personale. Pra nuk mund të arrestohet, të kontrollohet apo përgjohet pa autorizimin e Kuvendit", tha Bufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›