E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri garanton mbështetje maksimale për fermerët në zonat e varfra të vendit

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave ndërmarrjen e një sërë masave nga Ministria e Bujqësisë, të cilat do të ndihmojnë në strategjinë e luftës kundër varfërisë. 

Duke u ndalur kryesisht në rrethet që nisin nga Tepelena deri në Tropojë dhe që përbëjnë rreth dy të tretat e territorit të vendit, kryeministri evidentoi se varfëria është e madhe dhe për këtë arsye duhet vepruar me shpejtësi. Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi kritere të reja dhe një qeverisje tërësisht të re për këto zona, për të përmirësuar me forma nga më  të ndryshmet jetesën e banorëve. 

“Zoti Ministër i Bujqësisë, në mënyrë të përsëritur kam diskutuar edhe me ju dhe kemi përcaktuar disa drejtime. Këto rrethe nga Tepelena deri në Tropojë, të periferisë kryesisht, si territor përbëjnë pothuajse dy të tretat e Shqipërisë, ndërsa si popullatë jo. Problemi është që në këto rrethe varfëria është e madhe. Janë rrethe të vogla me varfëri të madhe. Në këto rrethe do të ketë një diskriminim pozitiv. Unë kërkoj kritere të reja dhe qeverisje tërësisht të re ndaj tyre, në mënyrë që ai që do dhe shihet e arsyeshme që ka mundësi të organizojë jetën e tij aty, t’i japim mbështetjen e plotë, duke e financuar me grante çdo rrënjë që do të mbjellin, t’i japë mbështetjen e plotë duke ndërtuar sistemin vaditës, aty ku është e nevojshme, t’i japim mbështetjen e plotë duke nxitur traditën e krijuar të tyre. Pra, duhet me shpejtësi të veprojmë që ata që duhet të dalin nga varfëria me punën, mundin dhe mbështetjen tonë”, u shpreh kryeministri.

Berisha siguroi se qeveria do të ofrojë mbështetjen maksimale për banorët e këtyre zonave, në mënyrë që ata të mos i shtoheshin radhës së të papunëve, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë për të jetuar me dinjitet në tokën e tyre.

Qeveria miraton vendimin për legalizimin e parcelave ndërtimore për 4 mijë familje  

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për kalimin e pronësisë së parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale”.  

Ky vendim ka si qëllim kalimin në pronësi të rreth 3109 objekteve informale, të cilat u përkasin rreth 4 mijë familjeve, pasi ALUIZNI ka kthyer në terren përditësimin e tyre dhe kualifikimin për legalizimin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›