E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, plan veprimi për të luftuar varfërinë në zona të veçanta të vendit

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qe qeveria do të përpunojë një platformë të diskriminimit pozitiv për të luftuar varfërinë në zona të veçanta të vendit. Kryeministri propozoi një paketë të plotë, për punësimin dhe shkollimin në zona të ndryshme të vendit. Për luftën ndaj varfërisë, pritet të ketë politika të barabarta, për çdo zonë.     

Problemit të varfërisë në vend, qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, pritet ti japë përgjigje të menjëhershme, nëpërmjet të plan veprimi, duke përdorur si antidot ndaj saj punësimin dhe shkollimin. Në mbledhjen e radhës të qeverisë, kryeministri Berisha u ndal në probleme specifike që lidhen me varfërinë, veçanërisht në disa zona të vendit, duke bërë të ditur se qeveria do të përpunojë një platformë të diskriminimit pozitiv si përgjigjja e duhur ndaj këtij problemi. 

“Në mënyrë të përsëritur, harta e varfërisë dëshmon se disa zona të vendit përballen më një varfëri të qartë, me një përqindje pakrahasimisht më të lartë, sesa në zona të tjera të vendit, u shpreh kryeministri, duke theksuar se, krahas veprimit të fuqishëm me pensionet, pagat e ulëta dhe punësimin, ne duhet të përcaktojmë një paketë diskriminimi pozitiv ndaj këtyre zonave, ku t’u krijojmë mundësi qytetarëve të tyre të ndërtojnë një jetë normale, me dinjitet dhe jashtë varfërisë”. 

“Si pakkush tjetër, ne kemi nxjerrë nga kufiri i varfërisë rreth 400 mijë shqiptarë, duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për kufirin e varfërisë për Shqipërinë, se po të krahasohet me një vend të zhvilluar, kufiri është krejtësisht tjetër. Antidoti absolut i saj është punësimi. Por, nga ana tjetër, zonat e varfra nuk dalin dot nga varfëria, nëse nuk aplikohet diskriminimi pozitiv i tyre. Këto zona, natyralisht dhe për një seri rrethanash, në rast se nuk aplikohet një diskriminimin pozitiv ndaj tyre, janë të destinuara të zhyten gjithnjë e më shumë në varfëri dhe mjerim. Nuk ka asgjë më të dëmshme se të përdoresh barazinë para ligjit për të varfëruar tjetrin. Në rast se kjo përdoret në mënyrë shabllone, faktikisht nuk bën gjë tjetër se të pasurin e bën më të pasur - këtu nuk ka asgjë negative, sepse varfëria nuk zgjidhet kurrë duke dëmtuar të pasurit, - por të varfrin e bën shumë më të varfër. Ata që kanë mundësi dhe burime, të tjerët sigurisht do të largohen dhe kanë shumë të drejtë të kërkojnë jetë më të mirë në zona të tjera në Shqipëri”, u shpreh kryeministri.

Në platformën e programin e çdo qeverie të zgjedhur në një vend të lirë, shtoi kreu i qeverisë Berisha, lufta kundër varfërisë përbën dhe duhet të përbëjë qëllimin më të parë të saj dhe kjo luftë është shumë planëshe. 

Krahas punësimit, Berisha identifikoi edhe shkollimin si një ndër drejtimet parësore, ku do të përqendrohet qeveria. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ta përpunojë dhe paraqesë në qeveri këtë platformë brenda datës 18 gusht. 

“Unë kam një lajm jashtëzakonisht të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përqindja e maturantëve që ndjekin shkollat e larta sot është 39 për qind dhe ky është një standard që e kanë disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa disa të tjera e kanë pak më poshtë. Politika e dyerve të hapur të universiteteve dhe inkurajimit të universiteteve private, në këtë aspekt ka pasur efekt të shkëlqyer. Ne ia dolëm të kapim jo nivelin e ulët, por mesatar të rekrutimit të maturantëve në shkollat e larta dhe do të shkojmë më tutje, pasi jemi komb i ri. Problemi shumë serioz mbetet kualifikimi i mësuesve. Një numër shumë i madh mësuesish në këto rrethe janë jashtë standardeve dhe po të shohësh kurrikulat e tyre, e vërteton këtë, në një kohë, kur tani ne ‘prodhojmë’ mësues edhe me master. Për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies në këto rrethe është jashtëzakonisht e rëndësishme një veprim energjik. Ne detyrimisht duhet të bëjmë kualifikimin e mësimdhënësve”, tha kryeministri, duke kërkuar që kjo platformë të përpunohet dhe të dorëzohet në qeveri brenda datës 18 gusht. 

Gjithashtu, kryeministri propozoi që të hapet një filial universiteti në Dibër, ndërsa theksoi se autoritetet vendore janë të gatshme dhe e kanë parashikuar jashtëzakonisht mirë. 

“Ata kanë parashikuar, në radhe të parë, kualifikimin e mësuesve ekzistues, për t’u dhënë mundësinë për të plotësuar diplomat dhe unë i përshëndes për këtë. Ndërsa të tjerët duhet t’ua lëshojnë vendin atyre që duhet. Pra, është i domosdoshëm një diskriminim pozitiv”, kryeministri.

Një tjetër propozim, kreu i qeverisë e bëri për ndërtimin e një konvikti dhe njëherazi me këtë edhe një risi ndryshe nga vitet e tjera, ku siç theksoi kryeministri në konvikte do të sistemohen nxënës që konkurrojnë dhe nuk arrijnë dot pikët për të hyrë në universitet dhe në sajë të një konkursi 6 mujor ata të konkurrojnë vitin e dytë dhe të pranohen në universitet. 

“Nuk mund të tolerohet kjo pabarazi dhe nuk mund të pranohet që një rreth i vogël ta ketë rekrutimin në shkollat e larta 20 për qind dhe një rreth tjetër ta ketë 50 për qind. P.sh qyteti i Mirditës jo se nuk është arsimdashës, por problemi i tij është ekonomik, problemi i tij është dhe me shkollat. Ndaj edhe bursat do të kenë një diskriminim të qartë pozitiv për këto rrethe. Është e domosdoshme që kjo platformë të përpunohet dhe të vijë në qeveri brenda datës 18 gusht”, nënvizoi kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›