E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Do kisha frikë të hipja në varkën e Farkës

• Unë do kisha frikë të hipja. Kështu ka deklaruar dje ish-kryeministri Aleksandër Meksi lidhur me tragjedinë e dy ditëve më parë në Farkë.Lutfi DervishiDuke folur në emisionin "Përballë" në TVSH, ish-kryeministri në periudhën '92-'97 flet për kthimin e pronave, të përndjekurit dhe hapjen e dosjeve. Dje ishim në ditë zie për shkak të tragjedisë, ku në një aksident fatal humbën jetën 16 persona. Nga sa keni ndjekur informacionet, a mendoni se politika dhe deri diku dhe media e tepron dhe nuk tregon respektin e duhur për njerëzit në zi?Ne e teprojmë, sepse janë të gjithë të parë. Në tërë botën në këto raste, flet kryeministri, presidenti sigurisht ka detyrën e tij që e kreu shkoi për vizitë, është ministri i Brendshëm dhe i Shëndetësisë që mund të kenë probleme dhe duhet të informojnë publikun çfarë ndodh, janë deputetët që e mbajtën, por nuk mund të dalin të tërë të mbajnë fjalime dhe deklarata dhe nga ana tjetër dinamika e asaj që ndodhi jepet me imtësi, në mënyrë që të kuptojmë që sende të tilla nuk duhet të ndodhin ashtu si zakonisht në botën e qytetëruar. Jo për ndëshkim, por për të kuptuar dinamikën ngrihen komisione si nga Prokuroria, si nga ministritë që çfarë të metash prunë, çfarë gabimesh njerëzore, apo të rregullave që kemi vënë ne prunë në një incident të tillë, përveç asaj që është thjesht ajo lehtësia me të cilën ne e gjykojmë rrezikun. Shqiptarët vdekjen nuk e kanë për gjë të madhe, aq më tepër që thonë se është shkruar dhe nuk mendojnë. Unë do të kisha frikë të hipja, për shembull. Mund të jem trim për të tjera gjëra, por do të mendohesha mirë të hipja natën në një varkë me 7 veta dhe kur shkuan me dy varka, të hipin 20 dhe me kalamaj të vegjël. Ne duhet të nxjerrim mësime nga një tragjedi që është realisht një tragjedi, një familje 8 veta, fëmijë të vegjël, kishin shkuar për një festë të tyre dhe hidhërimi duhet të jetë më njerëzor. Nuk është subjekt si në kohën e Enverit që gëzoheshin se ra tërmet për të treguar sa të fortë jemi, të kapërcejmë me forcën e partisë dhe me forcën ekonomike të shtetit socialist dhimbjen.Ju keni thënë se Kosova ka një avantazh të madh për të bërë progres për shkak se nuk ka probleme pronësie. Çfarë mund të mësojë Shqipëria në këtë drejtim?Ta mbyllte çështjen e pronave sa më parë. Të mos e zgjaste pa fund. U bë një ligj. Ta shajmë të mos e shajmë do të bëj një koment për këtë më mbrapa, 7501 i cili u quajt i mbyllur kur qemë ne më 1996-1997. Pra, pas asaj nuk ka pse të ndaheshin tokat më, ndërkohë ai vazhdon të ndajë toka, pra toka shtetërorë që duheshin përdorur për kompensim, për kthim të pronave, sepse ishin toka të lira që i kishte shteti, u ndanë sërish dhe u shitën e u rishitën pa pushim dhe askush nuk thotë gjë.Ideja e ligjit 7501 në shtator apo në gusht të 1991 kur u miratua, ishte që të ndahej toka e Ndërmarrjeve Bujqësore. Si është e mundur që ky ligj ka vepruar dhe vazhdon të veprojë edhe 15 vjet më pas?Ishte vetëm për ndarjen e tokave të kooperativave, me një klauzolë që kush dëshiron t'i ndajë fshatçe, siç është bërë, secili të tijën dhe kjo lejohej. Tokat e NB-ve u dhanë në përdorim dhe pastaj me një dekret të atëhershëm u falën. Në mendjen tonë ishin toka që një minimum do të merrnin ata që do të qëndronin në fshat për ta punuar tokën dhe pjesa tjetër do t'u rikthehej pronarëve ose kur qe shtetërore. Se një pjesë e mirë qe shtetërore do të përdorej për kompensim. Ka kaluar pra '96-ta, 11, 12 vjet dhe ne edhe sot dëgjojmë që ndahen toka. Dhe tjetra që mbase askush prej jush nuk e di. Më '96 ka qenë tërë bregdeti tokë shtetërore, ka qenë i parcelizuar në parcela 500 dhe 1000 metra katrorë për t'u dhënë për kompensim dhe mund ta gjeni jo vetëm në arkivin e Kryeministrisë me firmën time, por në të gjitha rrethet bregdetare, Sarandë, Vlorë, Fier, Lushnjë, Durrës, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shkodër e tëra e planifikuar për t'u ndarë për kompensim, në mënyrë që të mund të realizohej ajo që thamë: kthimi dhe kompensimi i pronave. Kanë kaluar kaq vjet. Riflitet pa pushim dhe unë dhe si pronar vet nuk shoh ndonjë perspektivë.Jeni pesimist që mund të zgjidhet çështja e pronësisë?Nuk shoh vullnet për ta zgjidhur dhe për të bërë korrigjimet dhe penalizimet. Se kush rrëmben tokën, ka një penalitet dhe duhet të paguajë vlerën e tokës. Kjo u bë sikur u harrua tek ne me të ashtuquajturën legalizim, ndërkohë që gjithsecili dëshiron ta paguajë tokën po ta pyesësh brenda shpirtit të tij, në mënyrë që të quhet e tija, realisht e tija dhe me këto para do të kompensoheshin edhe pronarët nga njëra anë. Nga ana tjetër njerëzit kanë marrë toka që nuk duhet t'i merrnin, nuk u takonin, kanë falsifikuar, dëgjojmë përditë. Kjo duhet të zgjidhet. Duhet të gjenden strukturat për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Kjo më shumë bën efekt negativ për investime si brenda vendit, si jashtë vendit. Më shumë bën efekt, sepse kur ndonjë i huaj do të vijë të investojë e gjen edhe atë që ka dokumente të rregullta dhe ka investuar siç është investuar. Problemi është që nuk mund të mbajmë probleme të vjetra zvarrë që t'i kemi pas vetes nga njëra gjeneratë në tjetrën. Nuk është e dobishme. Kurse për shkak të vërejtjeve, në Shqipëri është një zakon sipas mendimit tim aspak demokratike, aspak i përparuar dhe evropian i asaj që do ta quaja "arkeologji politike". Sot në Itali ka fushatë. Fushata erdhi pas një rrëzimi të qeverisë Prodi. Jo vërejtje për këtë qeveri që nuk bëhen në fushatë, por nuk bëhen as për qeverinë e mëparshme Berluskoni, as për qeverinë Prodi të mëparshme, as për qeverinë Berluskoni përpara Prodit, Çampit e të tjerëve, të tërë i takojnë historisë...Nuk merren...Nuk merren. Këtu kanë borxh të kujtohen dhe të bëjnë pyetje, ti që ke qenë... unë që kam qenë kryeministër nuk i mbaj mend. Duhet të them: prit njëherë. Të kujtohem njëherë, dale të hapim letrat dhe të shohim saktë si është kjo shkresë apo si ka qenë kjo gjë. Ne nuk... pra edhe kur vemi në zgjedhje, për shkak se zgjedhjet i rregullojmë nuk shohim as arsye që ta bëjmë fushatën mbi programe, mbi premtimet dhe mbi kontrollin ndaj premtimeve të jetë vota e ardhshme dhe frika nga elektorati.Beteja është për t'u marrë më tepër me të ardhmen se sa me të shkuarën, por kur është fjala për detaje apo episode...E shkuara që pengon të sotmen sigurisht që do të merresh, çështja e pronës është një nga ato, çështja e të përndjekurve është çështja e dytë dhe çështja e mëkatarëve të regjimit të kaluar që po lulëzojnë është çështja e tretë. Këto nuk ka pse të transportohen, por mbyllen në mënyrën siç i mbyllin të tjerët. Ka shumë mbyllje që janë të papëlqyeshme, me amputacion, me qepje etj., etj. Mbylle për të mos ekzistuar më.Le të qëndrojmë tek një prej kësaj treshe. Pse ne si shoqëri na ka munguar kurajo për t'u përballur me mëkatarët e së shkuarës?Mëkatarët e së shkuarës dhe ata që i përdorin mëkatarët, sigurisht jo nuk kanë kurajo, por nuk dëshirojnë, nuk u shkon për mendje, e kapërcejnë, e kapërdijnë, e lënë mënjanë. Ajo është një gjë që duhet të zgjidhet ashtu si e kanë zgjidhur vendet e tjera. Nuk ka pse të vazhdojmë pa pushim të flasim për spiunët dhe ka një gjë paradoksale që mua më habit...Më lejo të citoj diçka. Në një intervistë të vitit 2007 keni thënë: Kur hartoheshin listat e deputetëve të 22 Marsit 1992, i kërkuam të gjithë kandidatëve të firmosnin një deklaratë personale që nuk kanë punuar ose nuk kanë qenë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit. Kush gënjeu sigurisht që diku mori garanci.Jashtë çdo diskutimi, sigurisht që ka ndonjë që s'dihej, sepse nuk është që kontrolloheshin me aq lehtësi në atë kohë kur ne nuk qemë në qeverisje. Ashtu si ka edhe persona që mund të jenë fshirë në një farë mënyre, por gjurmë gjithnjë mbeten. Unë kam qenë personi që kam bërë këtë kërkesë dhe që ua kam kërkuar me shkrim të tërëve, sepse gjatë kohës që qesh nënkryetar i Kuvendit (1991) nëpërmjet ambasadave të huaja që qenë në Shqipëri mora ligjin hungarez, ligjin çek, ligjin gjerman dhe mbi bazën e tyre e përgatitëm në vija të përgjithshme e kishim gati këtë ligj dhe e kemi zbatuar dhe pa qenë ligj në ato struktura që ishin nën urdhrat e qeverisë. Nëse është mbajtur të themi në Ministrinë e Brendshme, një i tillë, është mbajtur me firmë të kryeministrit, në ministri të Brendshme, në ushtri, ose në strukturat shtetërore, janë thërritur, janë larguar nga strukturat përgjegjëse për të mos qenë të dëmshëm duke i urdhëruar ai që i urdhëronte përpara, të dëmshëm duke i ç'kurorëzuar unë dhe ti eprori i tyre për punë të këqija.Ma sqaroni këtë moment: mund të mbanit ju me firmën tuaj..Ishte ligji. Për t' mbajtur një bashkëpunëtor i sigurimit në punë në polici duhej firma e kryeministrit.Keni hedhur shumë firma?Jo shumë, me pakicë, 10-15-20...Jo në ditë...Gjithë e gjithë. Të tjerët thërriteshin, largoheshin dhe nuk të vjen mirë kur sheh ndonjë prej tyre në vende që në atë kohë ndaloheshin.Kur i ndesh e ul ti kokën apo ata?Unë nuk e kam ulur asnjëherë, se kam qenë i bindur se kam bërë një gjë që duhesh bërë, siklet ndihet se del që ti paske qenë i lig dhe të tjerët shumë zemërgjerë, por zakonisht kapërcehet kështu me kollajllëk, shtrëngim dore dhe buzëqeshje.Për ngjarjet e vitit 1997 janë shkruar shumë artikuj dhe libra. Sa i vëmendshëm jeni ndaj shkrimeve të tilla? Që të mund të shkruhet e thamë një gjë: transparencë. Deri më sot nuk është bërë transparencë për dy dukuri të asaj kohe që janë fajdet dhe rebelimi. Transparencë do të thotë të dimë shifrat, të dimë emrat e njerëzve, kush futi sa futi, kush mori sa mori etj., etj dhe të mund të bëhen mbi to studime. Kjo ka dobinë që të mund të dimë çfarë ka ndodhur, ka dobinë që të mos përsëritet meqenëse ka tendenca përsëritje. Sa i përket rebelimit të '97-ës është mirë të dimë me emra çfarë ndodhi? Si ndodhi? Pse ndodhi? Se po nuk thamë si ndodhi, çfarë ndodhi nuk themi dot as pse ndodhi, të jemi të sigurt për këtë punë dhe ajo që është më e rëndësishme është të mund të kuptohet qëndrimi i atyre që janë të përjetshëm në politikë dhe që ne nuk e dimë se çfarë roli kanë lozur në momente të caktuara të historisë së Shqipërisë, çfarë kontributi kanë dhe çfarë roli negativ kanë patur dhe të dimë të japim votën, nëse do të votojmë siç thuhet me proporcional lista të mbyllura jam i sigurt që të gjithë këta do të jenë të pranishëm në Parlament dhe do të jetë i njëjti Parlament, jo elitar, por sipas shëmbëlltyrës që zgjedhin.Më '96 ka qenë tërë bregdeti tokë shtetërore, ka qenë i parcelizuar në parcela 500 dhe 1000 metra katrorë për t'u dhënë për kompensim dhe mund ta gjeni jo vetëm në arkivin e Kryeministrisë me firmën time, por në të gjitha rrethet bregdetare, Sarandë, Vlorë, Fier, Lushnjë, Durrës, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shkodër e tëra e planifikuar për t'u ndarë për kompensim, në mënyrë që të mund të realizohej ajo që thamë: kthimi dhe kompensimi i pronave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›