E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimi i Zamir Podes, Kushtetuesja rrëzon PS-në

Pas më shumë së një vit, Gjykata Kushtetuese nxjerr vendimin për Zamir Poden.


TIRANË - Pas më shumë se 15 muaj shqyrtim, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimet e një grupi deputetësh socialistë, të shprehur në kërkesën e tyre për ta shpallur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit për rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e Zamir Podes si anëtarë të Gjykatës së Lartë.


Me 6 vota pro dhe tre kundër, trupi gjykues i kësaj Gjykate, ka vendosur t'i shmanget vendimmarrjes për kërkesën e paraqitur nga deputetët socialistë, duke mos legjitimuar të drejtën e tyre për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të datës 16 qershor 2008, nëpërmjet të cilit ky institucion shpalli se Zamir Poda, megjithëse, kishte marrë 65 vota pro, 62 kundër, 1 abstenim, ndërsa dy fletë votimi ishin shpallur të pavlefshme, nuk zgjidhej anëtar i Gjykatës së Lartë.


Rezultati i këtij votimi u konfirmua asokohe nga kryetari i komisionit të votimit, Arjan Madhi, i cili më pas u tërhoq, ndërsa Kuvendi njoftoi se deklarata e Madhit ishte lapsus sepse Zamir Pode nuk kishte marrë votat e mjaftueshme. Kjo situatë bëri që socialistët më pas ta ankimonin çështjen në Kushtetuese.


Ndërkohë, në vendimin e shpallur dje në faqen zyrtare të kësaj gjykate, vlerësohet se Kushtetuta nuk i njeh një të pestës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit të drejtën e materializimit veçmas, të vullnetit, në lidhje me këtë vendimmarrje, pasi kjo e drejtë i takon ekskluzivisht organit ligjvënës si një i tërë.


"Kërkuesi nuk mund të pretendojë kufizimin apo mohimin e një të drejte, për sa kohë e drejta nuk buron nga normat kushtetuese. Në këtë vështrim, kërkuesi nuk legjitimohet në kërkimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës", - thuhet në këtë vendim.


Përveç sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja, objekt shqyrtimi, ka tiparet e një gjykimi abstrakt dhe se në gjykimet me karakter të tillë, ajo nuk ka juridiksion të kontrollojë aktet me natyrë individuale.


Duke qenë se vendimi i Kuvendit, objekt shqyrtimi, pasqyron vullnetin e Kuvendit për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë, Gjykata pranon se ky akt ka karakter individual. Në këto rrethana, Gjykata vlerëson se nuk ka juridiksion të kontrollojë vendimin e Kuvendit objekt ankimi.


Si përfundim, Gjykata arrin në konkluzionin se kërkesa e iniciuar nga grupi prej jo më pak se një e pesta e deputetëve (1/5) lidhur me shfuqizimin e vendimit të Kuvendit, nr. 190, datë 16.06.2008 duhet rrëzuar për mungesë legjitimimi të kërkuesit dhe mungesë juridiksioni të kësaj Gjykate.

------------------------------

Emërimet, Berisha fut në qeveri aleatët e djathtë

TIRANË - Qeveria i jep dorën e fundit formatimit të saj në nivel zëvendës ministrash. Kësaj here, kryeministri Sali Berisha ka sistemuar drejtuesit e partive të djathta.


Kështu,


Këshilli i Ministrave vendosi dje lirimin e Ekrem Spahisë nga posti i zv. -ministrit të Kulturës dhe emërimin e tij në të njëjtin post, por te Ministria e Mbrojtjes. Ekrem Spahia është kryetar i PLL-së, parti në koalicion me qeverinë e drejtuar nga Berisha. Një tjetër aleat i PD-së, PBLD-ja do të përfaqësohet në qeveri.


Kryetari i kësaj force politike, Arjan Starova, është emëruar në postin e zv. - Ministrit të Mbrojtjes në vend të Petrit Karabinës, i cili nga dje është liruar nga kjo detyrë. PBLD-ja mori 5 mijë vota në të gjithë vendin, ose 0.33 për qind të tyre.


Ndërsa Partia Lëvizja e Legalitetit mori afro 10 mijë vota me afro 0.71 për qind të tyre. Partia Republikane, aleatja e dyte pas LSI-së me PD-në, e cila në Kuvendin aktual përfaqësohet vetëm me një deputet, pas lirimit nga detyra të Aleksandër Garulit që do të përfaqësohet në qeveri me një tjetër post zv-ministror.


Dashnor Bajaziti, përfaqësues i Partisë Republikane, nga dje është emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave në postin e zëvendës-ministrit të Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›