Fratini: “Samit për anëtarësimin e Ballkanit në BE”
Ministri i jashtëm i Italisë Franko Fratini mbështet mbajtjen e një samiti të Bashkimit Europian, me praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të jepej një mesazh i qartë dhe konkret për anëtarësimin në Union të vendeve të Ballkanit. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Vecernje Novosti”, Fratini u shpreh se Italia gjithmonë ka mbështetur zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit pasi kjo i shërben stabilitetit të rajonit. “Italia ka mbështetur gjithnjë idenë se BE-ja duhet të zgjerojë hapësirat e saj duke futur në union edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse stabiliteti i rajonit është ngushtësisht i lidhur me progresin drejt BE-së”,- tha Fratini. Sipas tij është propozuar që në samit të marrin pjesë shefat e qeverive të BE-së, dhe SHBA-ve. Takimi mund të mbahet vitin e ardhshëm, 10 vjet pas samitit të Zagrebit, ku nisi procesi i avancimit të Ballkanit drejt Unionit.
Moldavi
Zhvillohen zgjedhjet parlamentare
Në Moldavi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të fundit, në të cilat Partia Komuniste arriti fitore, por nuk ia doli që të mblidhte vota të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit në Parlament, pasi opozita, dy herë, kishte bojkotuar votimet. Këto zgjedhje patën shkaktuar edhe trazira. Votuesit mundën të votonin për komunistët pro-rusë në qeveri ose partive liberale, që synojnë lidhje më të mira me Perëndimin. Përbërja e Parlamentit të ri, që del nga këto zgjedhje, duhet të zgjedhë presidentin e ri, i cili do ta zëvendësojë Vlladimir Voronjinin, nga Partia Komuniste.
Spanjë
Shpërthen autobombë, 46 të plagosur
Një autobombë shpërtheu dje në orët e para të mëngjesit në qytetin verior të Spanjës, Burgas, duke plagosur rreth 46 persona. Policia bëri të ditur se shpërthimi ndodhi jashtë një kazerme të gardës civile. Policia dyshon se prapa shpërthimit qëndron organizata separatiste ETA, e cila është fajësuar për vrasjen e më shumë se 800 personave në 40 vitet e kaluara, gjatë fushatës për pavarësinë e baskëve nga Spanja. Si pasojë e këtij sulmi ka pasur edhe dëme të konsiderueshme materiale. Eshtë një mrekull që nuk ka vdekur asnjëri, tha një zedhënës i qeverisë rajonale.
Kroaci
Aksidenti hekurudhor, 5 të arrestuar
Pesë persona u arrestuan në Kroaci të dyshuar si përgjegjës për aksidentin hekurudhor të javës së kaluar, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 55 të tjerë u lënduan, njoftoi policia dhe gjykata orët e vona të ditës së djeshme. Policia deklaroi se të arrestuarit dyshohen për drejtim të dobët profesional lidhur me përdorimin e papërshtatshëm të një solucioni që shkaktoi rrëshkitjen e trenit mbi shina. Në fillim ishin arrestuar tetë persona për t’u marrë në pyetje. Dy prej viktimave të aksidentit më të rëndë hekurudhor, që prej pavarësisë së vendit në vitin 1991, ishin të huaj.
Iran
Nisin të shtunën proceset gjyqësore të protestuesve
Rreth 20 persona të akuzuar për “trazirat” pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të 12 qershorit, do të nxirren para gjyqit në Iran këtë të shtunë. Agjencia e lajmeve “IRNA” njoftoi se këta persona përballen me akuza, të cilat përfshijnë lidhjet me grupe terroriste, vendosje të bombave, bartje të armëve dhe granatave, sulme ndaj policisë, sulme ndaj objekteve të sigurisë dhe universiteteve dhe “dërgim të imazheve tek mediat e armiqve”. Disa ditë më parë, në qendrat më të mëdha të botës u zhvilluan protesta gjatë të cilave përkrahej opozita, e cila humbi zgjedhjet e fundit në Iran.
30 Korrik 2009