ORHAN PAMUK, “Jeta e re” e nobelit turk vjen në shqip
“Një ditë lexova një libër, dhe e gjithë jeta ime ndryshoi.” Këto janë fjalët e para të këtij romani të mrekullueshëm të Orhan Pamuk. Një student i inxhinierisë, Osmani, i shtyrë nga leximi i një libri “të çuditshëm”, ndërmerr një udhëtim të gjatë e stacionar nëpër qytete, qyteza e fshatra të njohura apo të humbura të Turqisë, të asaj Turqie që po ndryshon dëshpërimisht në sytë e tij, të një Turqie që luhatet mes trysnisë konservatore dhe rendjes drejt modernitetit. Në krye të kësaj udhe, djaloshi ynë rrëfimtar, do të ndeshë dhe do të bjerë shpejt pre e pasionit ndaj një vajze, Xhananit, e cila e fut në shtjellën rrugëtuese të këtij libri, e të dy bashkë, vazhdojnë në kërkim të asaj “Jete të re”, për ku i frymëzon libri. Mes aksidentesh, incidentesh e ngjarjeve të çuditshme, Pamuk na shpie udhës, ku një lexues i regjur hyn symbyllas e harrueshëm: zhytja magjike në leximin e një libri. Por, të kujt libri? Pamuk nuk jep përgjigje, për ta lënë fantazinë e tij t’i bartet lexuesit. Ky libër duket si një ankth i pazbërthyeshëm, por është realisht vetë shtypja që të jep ndikimi i një libri jo të zakonshëm, ndjesi që e ka provuar çdokush që ia njeh shijen leximit. Botuesja Flutura Açka shprehet se “...kush i thotë vetes lexues, nuk duhet të vdesë pa e lexuar këtë libër…” Këto ditë vitrina e librit është pasuruar nga një kopertinë tjetër siç është romani “Jeta e re”, i nobelistit turk Orhan Pamuk, përkthyer në shqip nga origjinali turqisht, nga Rubin Hoxha. Ky roman që u shkruajt në vitin 1994, është një rrëfim mbi shpirtin mistik dhe reminishencat e kulturës popullore dhe miteve turke, përmes një të ashtuquajturi libër me një aftësi për të të ndryshuar jetën nëse e lexon. Sa i takon Orhan Pamuk, për të gjithë ata që nuk e dinë, autori është botuar në dhjetëra gjuhë të botës dhe vitet e fundit ka qenë në listën e shkrimtarëve më të shitur në Perëndim. Vepra e tij rreshtohet në rrëfimet postmoderne dhe është krahasuar nga kritika me atë të Kafkës, Borhesit, Kalvinos e Markezit.
Vepra të botuara në shqip
“Unë jam e kuqja”, roman, 2006
“Bora”, roman, 2007
“Baulja e babait”, ese, 2007
“Kështjella e bardhë”, roman, 2008
“Shtëpia e heshtjes”, roman, 2008
“Jeta e re”, roman, 2009
30 Korrik 2009