E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini: Shqiptarët do të lëvizin pa viza në pranverë

Që nga pranvera e ardhëshme shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në Europë. Ky është premtimi i ministrit të Jashtëm italian Franko Fratini i dhënë pas një takimi me homologun shqiptar Ilir Meta në prag të Konferencës së Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore që po mbahet në Bukuresht. Kreu i diplomacisë italiane ka vlerësuar progresin e Shqipërisë që deri më tani po përmbush në terma të kënaqshëm kushtet e vendosura nga Brukseli për liberalizimin e vizave. Deklarata e Fratinit vjen vetëm pak orë pasi Parlamenti Europian aprovoi rezolutën e Komisionit parlamentar për integrimin ku vendoset përshpejtimi i procedurave për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën sapo këto dy vende të përmbushin kushtet e mbetura. Të angazhuar maksimalisht për futjen e vendit tonë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listën e bardhë të Shengenit janë edhe ministrat e Rumanisë dhe Hungarisë Katalin Predoju dhe Peter Balash. Në takimin e tyre në Bukuresht me kryediplomatin italian tre ministrat dhanë mesazhin se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbetet jashtë Bashkimit Evropian dhe integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›