E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga Dinamo sot shampanja e titullit të 18

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Dinamo është vetëm një fitore larg hapjes për herë të 18-të të shishes së shampanjës, nëse do të mposhtë në “Qemal Stafa”, finalisten e Kupës së Shqipërisë, Vllazninë, që të shpallet kampionë gjashtë javë përpara përfundimit të sezonit. Blutë vijnë në përballjen e tretë sezonale më shkodranët – dy të parat: 0-0 në Shkodër, 4-2 në Tiranë - pas një serie jo të kënaqshme rezultatesh, ku nuk fitojnë prej tri ndeshjesh, pavarësisht se kanë krijuar një diferencë prej 18 pikësh ndaj Besës së vendit të dytë. Situata në shtëpinë e kryesuesve është komplikuar jo pak nga ardhja e argjentinasit Luis Manuel Blanco (zyrtarisht në rolin e menaxherit). Ky i fundit, me shumë mundësi mund të jetë edhe pasuesi i trajnerit Shkëlqim Muça, pavarësisht se ish-trajneri i Tiranës do të bashkohet përjetësisht në listën e kampionëve “blu”, e ku bëjnë pjesë Zihni Gjinali (6 herë kampion si trajner me Dinamon), Skënder Jareci (2), Durim Shehu (2),Zyber Konçi (1), Sabri Peqini (1), Stavri Lubonja (1), Fatmir Frashëri (1), Bejkush Birçe (1), Faruk Sejdini (1) dhe Ilir Daja (1). Vllaznia, që nga ana e saj ka koleksionuar në 25 javë, 10 fitore dhe 10 humbje (5 barazime), tashmë nën drejtimin e trajnerit të tretë sezonal, Edi Martinin (pasoi Roland Luçin dhe Hasan Likën), ka rigjetur ritmin dhe rezultatet e nuk pëson humbje prej shtatë ndeshjesh. Shkodranët janë shndërruar në një ekip të frikshëm, pavarësisht se në transfertë kanë fituar vetëm 2 nga 13 ndeshjet e luajtura. Në përballjen e fundit në kryeqytet Dinamo fitoi 4-2 me Vllazninë ku Fatjon Sefa i Dinamos realizoi një tripletë. Ndeshja nisi e shpejtë qysh në minutat e para, me dy gola të bukur nga Sefa (4) dhe Bakaj (8), por Vllaznia barazoi në harkun e tri minutave, fillimisht me malazezin Blaze Rajoviç (23) e më pas me mbrojtësin e Kombëtares, Elvin Beqirin (25). Fraksioni i dytë rinis sërish me një gol të shpejtë të gjigantit Sefa (48) për të vazhduar me lushnjarin në të 52, gola që vulosën dhe rezultatin 4-2.

Besa-Apolonia

Me Besën (vendi i dytë, 40 pikë) e Vllazninë (vendi i gjashtë, 36 pikë) në finalen e Kupës së Shqipërisë (9 maj, në “Qemal Stafa”), vendi i tretë i Superligës është një “rebus i ndërlikuar”, ku pas 26 javësh në kuotë të barabartë pikësh janë jo pak, por tri skuadra: Laçi (në sezonin e tij më të mirë), Shkumbini (në shok psikologjik pas eliminimi nga Kupa) dhe Tirana (që ka rigjetur moralin pas Starovës dhe fitores në Fier). Në fakt, kjo është një javë e fortë, pasi do të shtrëngohet akoma dhe më shumë rrethi i të mbijetuarve. Besa po bën një sezon të konsoliduar, vendi i dytë (40 pikë) dhe një nga dy finalistet e Kupës së Shqipërisë, por skuadra kavajase ka zhgënjyer në javët e fundit në kampionat, ku nuk fiton prej gjashtë javësh, për më tepër që ka humbur në katër javët e fundit. I duhet një fitore ndaj Apolonisë, për të mos humbur vendin e dytë, të kërcënuar nga Tirana, Laçi dhe Shkumbini. Apolonia nga ana saj është në krizë rezultatesh (nuk fiton prej 4 ndeshjesh) dhe ndodhet vetëm me një pikë më shumë se Kastrioti i vendit të parafundit. Në takimin e fundit në Kavajë, takimi përfundoi 0-0, por në Fier (fazën e dytë), Besa fitoi 2-0.

Laçi-Shkumbini

Është një tjetër supersfidë e javës së 27-të. Dy skuadra rrethesh tepër ambicioze, e që për më tepër kanë grumbulluar të njëjtin numër pikësh: 38. Diferenca midis tyre ndahet në raportin ndeshjet brenda-jashtë: secila ka fituar 1-0 në shtëpinë e vet, Shkumbini në fazën e parë, Laçi në të dytën. Laçi, duke luajtur në shtëpinë e tij dhe i drejtuar nga një “profesor i heshtur”, si Stavri Nica, mund të shfrytëzojë ngarkesën psikologjike të rivalit të tij, Shkumbinit, pas eliminimit nga Kupa. Gjithsesi, Laçi ka dhe një plus statistikor: Shkumbini është vetmja skuadër që nuk asnjë ndeshje këtë sezon në transfertë (0 fitore, 3 barazime, 9 humbje), ndërkohë që laçjanët janë ekipi i tretë më i mirë në ndeshjet e shtëpisë (8 fitore, 4 barazime, 1 humbje me Dinamon).

Tirana-Teuta

Tirana do të presë në “Selman Stërmasi” Teutën, që pas eliminimit më gjysmëfianle nga Kupa e Shqipërisë (ashtu si Tirana në çerekfinale), ndodhet vërtet në një pozitë të vështirë: vendi i 9-të, 32 pikë, dy më shumë se Kastrioti i vendit të 11-të e që bie direkt nga kategoria. Bardheblutë kanë në drejtim Sulejman Starovën (trajnerin e pestë sezonal), teksa ky i fundit sezonin e kaluar drejtonte me sukses Teutën. Tirana i ka fituar të dy takimet e para sezonale: 2-0 në “Qemal Stafa”, 1-0 në “Niko Dovana”.

Skënderbeu-Flamurtari

Nëse do të shikonim renditjen “klasike” të statistikave, prej së cilës “bastexhinjtë” bëjnë analizat e tyre, pra të gjashtë ndeshjeve të fundit, Skënderbeu ka regjistruar gjashtë fitore (18 pikë, 100 për qind të pikëve), ndërsa Flamurtari vetëm 3 fitore në po aq ndeshje. Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta pas 26 javësh: nga 33, dhe ndeshja në Korçë do të vendosë shumë për fatin e dy skuadrave në Kategorinë Superiore. Në fazën e parë, Skënderbeu fitoi 1-0, ndërsa në të dytën në Vlorë takimi u mbyll 1-1. Një fitore e Skënderbeut, do të thotë + 3 ndaj Flamurtarit.

Gramozi-Kastrioti

Sfida e dy skuadrave të vendit të fundit, por nëse kolonjarët (22 pikë) vetëm matematikisht nuk kanë zbritur një kategori më poshtë (në të Parën), krutanët (30 pikë) ende shpresojnë për mbijetesë në Superiore. Takimi i vetëm në Ersekë ka përfunduar 0-0 (ai në Krujë, 1-0 për Kastriotin). Kjo ndeshje do të luhet pa shikues, pas vendimit të Disiplinës pas incidenteve në ndeshjen Gramozi-Skënderbeu.

Ky lajm është publikuar: 11/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›