E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini takon Berishën: Politika të bashkëpunojë për integrimin

TIRANE- Forcat politike duhet të punojnë sëbashku për të arritur aspiratat për integrim në Bashkimin Europian. Ka qenë ky mesazhi i Ministrit të Jashtëm Italian Fratini në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha. Fratini rikonfirmoi mbështetjen për Shqipërinë si në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë në Bashkimin Europian.

“Pata rastin të bisedoj dhe ramë dakord me kryeministrin shqiptar se të gjitha forcat politike shqiptare duhet të punojnë sëbashku për të arritur aspiratat përsa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian” u shpreh Fratini.

Ndërsa kryeministri Berisha ka zgjedhur gjuhën italiane në deklartën e tij. Duke e cilësuar Fratinin një avokat të Shqipërisë në proceset e saj integruese Berisha vuri theksin në bashkëpunimin midis dy vendeve tona kryesisht në sektorin e energjisë bërthamore.

“Shqipëria nuk është një vend i madh por është një vend me mundësi të mëdha. Mbi të gjitha në sektorin energjetik duhet të nënvizoj se në këtë fushë me Italinë kemi firmosur një marrëveshje. Kanë nisur investimet për prodhimin e mbi 1600 mega/vat energji nga burimet e erës dhe ujit. Dua të përshëndes takimin e fundit mes Berluskonit dhe Sarkozi për të ridimensionuar këtë sektor të energjisë. Mbetem i vendosur për të përgatitur vendin tim që të përfitojë nga kjo fushë.” u shpreh Berisha.

Ministri i Jashtëm italian u takua edhe me Presidentin Bamir Topi ku u vunë në pah mardhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Në këtë takim u diskutua edhe mbi situatën politike në vend dhe atë në rajon, ku dy bashkëbiseduesit ndanë të njëtjin mendim që pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga një numër gjithnjë e në rritje shtetesh kontribuon ndjeshëm në qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›