E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia ndaj Berishes Gjykata e Larte: Jo kompetenca jone

TIRANE- Gjykata e Lartë shpreh moskompetencën e saj për shqyrtimin e kërkesës së Aneta Ramës për dëmshpërblim moral për akuzat dhe sulmet publike që i janë bërë asaj nga kryeministri Berisha në sallën e Kuvendit. Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë mbledhur në seancën e sotme, pasi dëgjoi pretendimet e avokates së nënës së Edi Ramës vendosi të shpallë moskompetencë për trajtimin e kësaj cështje duke u shprehur se kjo është një e drejtë e Gjykatës së Tiranës.

Ndërkohë Gjykata e Lartë vazhdoi sot seancën me shqyrtimin e kërkesës së palës paditëse, atë të dënimit të Berishës nën akuzën e shpifjes. Avokatët e nënës së kreut të PS kërkuan që Prokuroria ti drejtohet kuvendit për heqjen e imunitetit të Berishës me argumentin se ka shpifur dhe ka thënë pohime të pavërteta që kanë cënuar rëndë figurën e nënës së kryesocialistit, Aneta Ramës.

Këto pretendime janë kundërshtuar fort në seancë nga pala mbrojtëse e kryeministrit sipas të cilës bëhet fjalë vetëm për deklarata politike që nuk cënojnë integritetin e zonjës. Për avokaten e Berishës, pala paditëse nuk ka provuar edhe të kundërtën që Edi Rama nuk është kuruar nga ndonjë sëmundje. Në këto kushte Gjykata e Lartë i ka dhënë kohë deri në 4 maj palës mbrojtëse të kryeministrit të njihet me të gjitha provat që sipas paditësit provojnë fajësinë e Berishës dhe pikërisht në këtë datë pritet dhe një vendim nga ana e gjykatës.

Më herët, po në seancën e sotme Gjykata e Lartë rrëzoi një tjetër kërkesë të Aneta Rames për thirrjen si palë në gjykim të një prokurori. Aneta Rama paditi kryeministrin për shpifje pas akuzave të tij në sallën e Kuvendit drejtuar kreut të PS, Edi Rama dhe familjes së tij.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›