Ministrja Bregu: Ju tregoj hapat e mbetur për në BE
Është gruaja plot sharm e qeverisë, që me mendjehollësinë prej një politikaneje të mirëfilltë, na prezanton denjësisht në tryezat e punës në Bruksel. Majlinda Bregu është një nga protagonistet kryesore të procesit të integrimit shqiptar, madje në një fazë të rëndësishme të tij, atë të shqyrtimit të statusit të vendit kandidat për në BE. Ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu, tashmë kur përvoja e saj në ekzekutiv ndihet e kompletuar, di të veprojë qartë jo vetëm përmes artit të bukur të fjalës, por duke qenë pjesë aktive e një momenti kyç për shqiptarët, atë të rrugës së hapur drejt anëtarësimit në familjen evropiane. Sepse, në fund të fundit, siç thotë vetë znj. Bregu, ia vlen lodhja, stresi, por edhe orët e gjata të punës, nëse beson që pas pak kohësh, Shqipëria do të firmosë si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Dhe një nga tre ministrat e rikonfirmuar në kabinetin “Berisha 2”, për shkak të vlerësimit të punës së saj, znj. Majlinda Bregu flet në këtë intervistë për gazetën “standard” për të gjitha sfidat e procesit të integrimit që e presin Shqipërinë në këtë fazë të rëndësishme të tij. Ajo shtjellon të gjithë hapat që do të ndjekë integrimi i shqiptarëve në BE. Ndalet gjatë në hapat e mbetur deri në trokitjen evropiane. Shqipëria është në pritje të një përgjigjeje pozitive nga Komisioni Evropian lidhur me kërkesën për anëtarësim dhe, sipas znj. Bregu, kjo do të ndodhë jo më larg se vjeshta e këtij viti. Me ekspresivitetin që i duhet një ministri, në këtë intervistë, znj. Bregu pasqyron sigurinë me të cilën na përfaqëson denjësisht në Bruksel. Ajo konfirmon se më 1 tetor, Shqipëria dorëzon raportin e dytë për plotësimin e angazhimeve dhe detyrimeve që kanë të bëjnë me heqjen e vizave drejt zonës “Shengen”, ndërsa është e bindur se Shqipëria është gati të marrë përgjigjen pozitive për anëtarësimin në BE.
Bisedoi: Valentina Madani
Znj. ministre, sapo u kthyet nga Brukseli dhe direkt erdhët në seancën parlamentare, ku sërish mungonte opozita në sallë. Si ndiheni kur përballeni me këtë linjë krejt të kundërt me atë që kërkon Brukseli?
Do të ishte mirë që maturia e treguar gjatë procesit zgjedhor nga kampet politike të vazhdonte dhe pas mbylljes së këtij procesi, ku fituesi të quhet fitues; ku të respektohet e të ndihmohet nga opozita, e cila ka humbur dhe që sipas mendimit tim, duhet të jetë kritizere për të ndihmuar vendin për të qasur atë perspektivë të cilën e kemi zgjedhur së bashku.
Ju jeni ndër tre ministrat e rikonfirmuar në kabinetin “Berisha 2”. Në momentin e prezantimit të qeverisë së re, shumëkush mendoi në ato çaste se kjo është çështje besimi ndaj jush nga ana e Kryeministrit Sali Berisha, apo jo?
Kjo do të ishte një pyetje që ndoshta duhet t’ia drejtonit Kryeministrit Berisha, pasi ishte ai që bëri përzgjedhjen e ministrave me të cilët do të punojë katër vitet e ardhshme. Gjithsesi, më duhet ta pranoj që ky rikonfirmim, përveçse një vlerësim ndaj punës sime dhe stafit të Ministrisë së Integrimit, është një kënaqësi personale. Ndihem me fat që do të jem një nga protagonistët e procesit të integrimit në këtë fazë të rëndësishme të tij, të një procesi që është jo vetëm prioriteti kryesor i qeverisë, por përfaqëson ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Shpresoj që së bashku me stafin tim ta justifikoj këtë besim të treguar. Në fund të fundit, ia vlen lodhja, stresi, por edhe orët e gjata të punës, nëse beson që pas pak kohësh, Shqipëria do të firmosë si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Shqipëria pret që Komisioni Evropian të shqyrtojë kërkesën për anëtarësim, por realisht, kur do të jetë momenti konkret?
Këshilli Evropian do të shqyrtojë brenda dy muajve të ardhshëm aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Sinjalet janë pozitive, veçanërisht pas certifikimit të rregullsisë së procesit zgjedhor, nuk ka ndodhur asnjëherë në vitet e mëparshme dhe ky ishte një moment kyç edhe për Evropën për të kuptuar se sa seriozisht Shqipëria plotëson angazhimet kryesore që vijnë nga procesi i integrimit në BE. Në këtë panoramë të përgjithshme të përmbushjes së reformave, e vetmja gjë që mungonte, ishin zgjedhjet.
U fol se Gjermania do të bllokonte shqyrtimin e kërkesës së anëtarësimit të Shqipërisë për shkak të zgjedhjeve që zhvillohen aty…
Asnjë vend i bllokut nuk ka shprehur as tendencën më të vogël për bllokimin e Shqipërisë. Në të gjitha deklaratat e përfaqësuesve të lartë të BE-së si dhe të Kancelares gjermane Merkel, herë pas here, mbështetja ndaj Shqipërisë nuk ka munguar; nuk shoh asnjë pengesë jo vetëm nga Gjermania, por nga asnjë vend tjetër i BE-së. Për më tepër, zgjedhjet në Gjermani zhvillohen në fund të shtatorit. E thashë edhe më sipër, me këtë proces të konsoliduar zgjedhor të certifikuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it qeveria ka të gjitha shanset për të progresuar dukshëm, ndoshta edhe më shpejt nga sa ishin parashikimet në pranverën e këtij viti, në procesin e integrimit. Duket se janë plotësuar të gjitha kushtet që Shqipëria të marrë përgjigje pozitive për kërkesën e saj, pa kaluar vjeshta.
Si e marrin strukturat e KE-së vendimin për përgjigjen?
Pas kërkesës për anëtarësim, Këshilli Evropian shqyrton kërkesën dhe pasi e pranon atë, i kërkon komisionit të japë mendimin (avis), meqë është në pozita kyçe, përgatit opinionin e vet në periudhën brenda një viti, duke mbajtur konsultime jozyrtare me dyer të mbyllura me anëtarët më me influencë të BE-së të interesuar për çështjen. Parlamenti Evropian, në të ashtuquajturën procedurë pëlqimi, shpreh miratimin ose mosmiratimin për aplikimin.
Po në rast se Parlamenti Evropian nuk e miraton aplikimin?
Atëherë shqyrtimet e mëtejshme bllokohen. Referuar qëndrimeve zyrtare të të dy institucioneve të BE-së, Këshilli konsideron aplikimin sërish dhe miraton një vendim. Zakonisht ky vendim nxirret në prag të një samiti të Këshillit Evropian dhe përfshihet në Përfundimet e Presidencës së BE-së të miratuara në fund të samitit. Presidenca punon që aplikimi të trajtohet pikërisht si çështje procedurale dhe që autorizimi i Këshillit për Opinionin e Komisionit të kalojë si “A point” (çështje procedurale që miratohet pa debat), ndërkohë që vendimi për çështjen e aplikimit kërkon unanimitet të vendeve anëtare.
Gjatë vizitës suaj në Bruksel takuat zyrtarë të lartë lidhur me progres-raportin e Komisionit Evropian dhe pyetësorin, por nuk dimë rezultatet e takimeve tuaja me ta. Cilat janë ato?
Zhvillova disa takime me përfaqësues të lartë të KE-së, mes të cilëve drejtorin për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierr Mirel, dhe drejtoreshën e Njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Marta Garcia Fidalgo. Në qendër të bisedimeve ishte progres-raporti që Komisioni Evropian do të publikojë për ecurinë e vendit tonë gjatë vitit 2009. Gjithashtu, një tjetër pikë e këtyre takimeve ishte edhe pyetësori i statusit të vendit kandidat që pritet të marrë Shqipëria gjatë javëve të ardhshme.
Kur do të publikohet progres-raporti dhe si ishin vlerësimet për Shqipërinë?
Raporti do të publikohet më 15 tetor 2009. Mund të them me bindje se është punuar me vendosmëri për të përmbushur ato rekomandime që jepen në progres-raport, të cilat për qeverinë tonë janë prioritet absolut.
Vlerësimet dhe inkurajimet e progres-raportit të Komisionit Evropian kanë qenë dhe mbeten një pasqyrë reale e progresit të vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit Evropian. Nga ana tjetër, duhet theksuar se ky dokument është stimuli kryesor i reformave për qeverinë shqiptare. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka vendosur çdo vit një standard të ri zhvillimi dhe reformash. Për këtë arsye, monitorimi dhe vlerësimi i informacionit nga Komisioni Evropian intensifikohet çdo vit, duke marrë parasysh fazat e reja të procesit në të cilat ndodhet vendi ynë. Pas publikimit të progres-raportit 2008, qeveria shqiptare mori angazhimin për ta parë këtë raport si udhërrëfyes në zbatimin e reformave të saj.
A ka lidhje raporti i progresit me datën e përgjigjes për shqyrtimin e kërkesës për anëtarësim?
Jo, progres-raporti nuk është i lidhur me datën, pra progres-raporti nuk është i lidhur domosdoshmërisht me kërkesën që Këshilli mund t’i kërkojë Komisionit Evropian për të përgatitur avinë (mendimin). Pra, jo domosdoshmërisht duhet të pritet dalja e progres-raportit që Këshilli t’i kërkojë KE-së që të përgatisë mendimin për Shqipërinë për përgjigjen e kërkesës për anëtarësim dhe rrjedhimisht për t’ia dërguar pyetësorin. Gjithsesi, kjo nuk është një sfidë ndaj datave dhe kohës, por jemi gati për të përballuar me çfarëdo presioni, detyrimet që na vijnë për të përshpejtuar integrimin në BE. Administrata shqiptare sot është në sfidën më të madhe. Plotësimi i detyrimeve i kërkuar gjatë këtyre viteve, shumëfishohet tani, sepse, në qoftë se volumi i punës ka qenë në konferenca takime etj., këtë radhë gjithçka përqendrohet tek puna e administratës shqiptare, kryesisht për të zbatuar detyrimet.
Ku konsistojnë pyetjet e pyetësorit që pritet t’i dërgohet Shqipërisë dhe sa është koha në dispozicion për plotësimin e tij?
Pyetësori ka për qëllim vlerësimin e gatishmërisë të vendit për të ecur drejt fazave të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me KE-në (informacion më i plotë se raporti vjetor i progresit). Është një dokument me pyetje të gjithanshme, përfshirë kriterin politik, i cili në detaje kërkon informacion për aspekte të ndryshme të funksionimit të shtetit; një pjesë e pyetjeve janë të karakterit të raportimit të statusit dhe një pjesë i takojnë vizionit politik për të ardhmen për shumë aspekte, politike, ekonomike, etj; koha në dispozicion për plotësimin e pyetësorit është 4 muaj. Përgjigjet duhet të jenë konkrete, të mirëpërpunuara dhe informacioni i saktë e konsistent. Duhet theksuar se përgjigjja e autoriteteve tona për pyetësorin e Komisionit do të jetë një sfidë serioze dhe cilësia e përgjigjeve do të ketë rëndësi vendimtare. Në këtë proces, do të jetë i përfshirë një numër i madh aktorësh institucionalë dhe të tjerë. Në rastin e Malit të Zi, numri i pyetjeve ishte 2178. Është e rëndësishme që përgjigjet të jenë koherente, të lidhura drejtpërdrejt me pyetjet dhe të përmbledhura.
Znj. Bregu, cilat janë fazat e kësaj pjese të procesit dhe cili do të jetë roli i Ministrisë së Integrimit lidhur me pyetësorin?
Fazat kryesore do të jenë: Krijimi i strukturave menaxhuese dhe koordinuese në nivelin e lartë të qeverisjes qendrore dhe ndërmjet institucioneve kontribuuese; përcaktimi i detyrave tp koordinimit sipas kapitujve të pyetësorit, krijimi i grupeve të punës dhe ekipeve brenda institucioneve të përfshira; përgjigjja e pyetësorit të KE-së dhe zbatimi i mekanizmave të kontrollit të cilësisë. Secila fazë do të paraprihet nga aktivitete përgatitore (trajnime, asistencë teknike për strukturat, sistemi i komunikimit etj.). Ministria e Integrimit do të jetë koordinatori kryesor, do të kryesojë takimet e grupeve ministrore dhe do të jetë përgjegjëse për koordinimin tërësor, menaxhimin e procesit. Do të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin në nivel ndërinstitucional, do të raportojë në grupet e punës ndërministrore, do të raportojë në Këshillin e Ministrave, si dhe do të menaxhojë komunikimin tërësor me median dhe publikun në lidhje me procesin. Ministria e Integrimit do të koordinojë gjithashtu edhe asistencën e aktorëve të tjerë të përfshirë (institucionet kontribuuese, netuorku i ekspertëve të pavarur etj.).
Si po ecën procesi i liberalizimit të vizave?
Liberalizimi i vizave është një nga elementët më të rëndësishëm të këtij procesi, element i cili prek nga afër çdo qytetar shqiptar. Pas dorëzimit të kontributit të parë të palës shqiptare, raportin për plotësimin e angazhimeve dhe të detyrimeve, më datë 1 tetor 2009, qeveria shqiptare do të dorëzojë kontributin e dytë, i cili do të vlerësohet nga Komisioni, duke marrë parasysh të dhënat e fundit për plotësimin e detyrimeve dhe angazhimeve të palës shqiptarë për pjesën e kriterit politik dhe çështje, si shpërndarja e pasaportave biometrike, menaxhimi i kufijve etj. Në maj të këtij viti, qeveria premtoi se do të dorëzoheshin 100 mijë pasaporta biometrike, ndërkohë që jemi në shtator dhe janë dorëzuar 130 mijë të tilla. Duhet theksuar se deri tani qeveria i është përmbajtur angazhimit për shpërndarjen e pasaportave, duke kaluar objektivin në numrin e pasaportave të shpërndara deri tani. Besoj se në momentin e miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, përfaqësuesit e BE-së do të shprehin qartësisht angazhimin për vazhdimin e procesit për të gjithë Ballkanin Perëndimor.