E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca: Çdo provë për kartat e identitetit të depozitohet në Prokurori

Komisioni parlamentar i ligjeve shqyrton draftin ligjor të PS-së

Ashtu si edhe ishte përcaktuar në seancë plenare të së enjtes, Komisioni parlamentar i Ligjeve ka marrë në shqyrtim, gjatë paradites së djeshme nismat ligjore të Partisë Socialiste, që synojnë transparencën e plotë dhe të pakushtëzuar të hetimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Ka qenë deputeti Damjan Gjiknuri, ai që ka prezantuar ndryshimet që selia rozë kërkon t’i bëjë ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, duke theksuar se nëpërmjet tyre opozita synon t’i japë fund krizës politike në vend.
Deputetët e mazhorancës janë ndalur në dy çështje, duke adresuar pyetje për përfaqësuesit socialistë në komisionin parlamentar të ligjeve.
Kreu i komisionit të ligjeve dhe deputeti Ilir Rusmali u shpreh se pretendimet e PS-së për karta identiteti të falsifikuara duhet të përbëjnë një detyrim ligjor kallëzimi në Prokurori. Rusmaili e konsideroi këtë një element të qartë kriminal, por më herët PS duhet të bëjë dorëzimin e provave në organin e akuzës.
Edhe pse një seancë e parë, kjo më tepër njohjeje me amendimet që selia rozë i ka bërë ligjit për komisionet hetimore, deputetët e mazhorancës janë ndalur në dy çështje, duke adresuar pyetje për përfaqësuesit socialistë në komision. E para lidhur me pretendimet për fakte të bëra publike në media nga kreu i grupit kuvendor Gramoz Ruçi, për disa falsifikime të kartave të identitetit dhe e dyta me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Për socialistët nisma ligjore e parashtruar prej tyre parashikon që komisionet hetimore të ngrihen brenda 6 muajve nga përfundimi i zgjedhjeve dhe të përfundojnë ditën kur do të duhen edhe 24 muaj për përfundimin e mandateve reciproke të Kuvendit dhe organeve përfaqësuese të qeverisjes vendore.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, palët ranë dakord, që ditën e sotme të prezantohen dhe relacionet përkatëse si dhe palët të nisin shqyrtimin e nismës.
U ra dakord që ndryshe nga herët e tjera të jenë dy relatorë, për demokratët deputeti Viktor Gumi dhe për opozitën Sajmir Tahiri. Afati i fundit për paraqitjen e amendimeve, u përcaktua data 11, ndërkohë që më 18 mars Kuvendi me 125 vota pro, vendosi të kalojë në seancë plenare nismat ligjore të selisë rozë.
Si objekt të hetimit të këtij komisioni, PS propozon hetimin e akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në Vendet e Numërimit të votave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›